Në Ditën Evropiane të Përkujtimit të Viktimave të regjimeve totalitare, kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha është shprehur se kjo është një ditë reflektimi për një plagë kombëtare. Kjo plagë, sipas Bashës, vijon të sëmbojë pasi Shqipëria ende nuk e ka tejkaluar.
Kryedemokrati shprehet se kujtesa dhe nderimi për viktimat e “regjimit më çnjerëzor në Evropë” duhet të shkojë për krah me vetëdijen se shumë mbetet për t’u bërë.
“Të reflektojmë dhe të nxjerrim mësime e forcë për të mos lejuar asnjë formë të autoritarizmit të na ndajë nga Europa, nga Perëndimi dhe nga liria,” shprehet Basha në një postim në Facebook.“Dita Evropiane e Përkujtimit të Viktimave të regjimeve totalitare dhe autoritare, nuk është vetëm një ditë kujtese por edhe reflektimi për një plagë kombëtare që vijon të sëmbojë, pasi Shqipëria ende nuk e ka tejkaluar. Kujtesa dhe nderimi për viktimat e regjimit më çnjerëzor në Europë, që mohoi liritë dhe të drejtat, dinjitetin njerëzor dhe besimin në Zot, duhet të shkojë krah për krah me vetëdijen se shumë mbetet për t’u bërë, që xhelatët të mbeten në atë krah të historisë që Europa mbarë u ka caktuar regjimeve gjakatare. Sepse ai krah nuk ka qenë kurrë i duhuri dhe këtë e konfirmojnë 34,135 shqiptarët e burgosur dhe dënuar për arsye politike, 59,009 qytetarë u internuan në kampe përqendrimi, 7,022 prej të cilëve vdiqën prej trajtimit shatazarak, 984 të vdekur në burgjet e regjimit dhe 6,027 burra dhe gra, djem dhe vajza të ekzekutuar me dhe pa gjyq gjatë diktaturës.Ne shqiptarët kemi më shumë viktima se shumë kombe në botën demokratike për të përkujtuar. Ndaj ju ftoj të kujtojmë, të nderojmë dhe të përkulemi përpara sakrificës viktimave që na shkaktoi diktatura komuniste e Enver Hoxhës dhe të reflektojmë. Të reflektojmë dhe të nxjerrim mësime e forcë për të mos lejuar asnjë formë të autoritarizmit të na ndajë nga Europa, nga Perëndimi dhe nga liria.Qoftë i paharruar kujtimi i shqiptarëve që e paguan me jetën e tyre instalimin dhe pushtetin absolut të regjimit komunist! #BlackRibbonDay” , shkruan Basha në rrjetet sociale.