Deklaratat e tij u bënë kur u pyet në “Opinion”, në lidhje me rolin e babait të tij për varjen e poetit Havzi Nela, për të cilin tha se çështja u përdor për qëllime politike.
Fevziu: Ndërkohë ju i keni dalë në mbrojtje në rastin e Havzi Nelës, ku ai ka qenë një nga ata që ka firmosur dënimin me vdekje të Havzi Nelës.
Rama: Jo në fakt unë nuk i kam dalë në mbrojtje dhe as nuk kam bërë të kundërtën për rastin. Radstin e kam parë. Është një rast shumë i trishtuar në vetvete. Historia e tij është komplekse, por nuk jam prononcuar lidhur me këtë sepse më mungojnë 2 elementë. E para më mungon fjala e tim eti. Rasti ka dalë shumë vite pasi ai ishte ndarë nga jeta dhe ka dalë në funksion të luftës politike me mua, nuk ka dalë po themi si dalje në dritë e fakteve në të shkuarën.
Më mungon fjala e tij dhe e dyta më mungon bindja për atë firmë. E kam parë dokumentin. Nuk jam ekspert, por firmën e tij e kam në disa nga librat, se ai i shënonte dhe nuk jam i bindur as për firmën e tij dhe më mungon dhe fjala e tij.
Aq më pak pastaj jam i prirur të jem i nxituar në këtë aspekt, kur mendoj që ata që e nxorën dhe e kthyen në avaz në publik janë të njëjtët njerëz që për mua fabrikuan një dosje të tërë gjyqi të ndarjes me nënën e Gregut, ku u arrit deri në mostruozitetin që të shkruhej që unë në gjyq paskësha akuzuar nënën e djalit tim se djali im ishte djali i babait tim. Është një dosje e fabrikuar 100% sikundër pastaj edhe është provuar 100%, për shkak se materialet e gjyqit janë aty dhe gjyqi ka qenë vetëm një seancë pajtimi dhe pas asaj seance pajtimi, kanë shkuar avokatët dhe nuk ka patur asnjë problem.