Ashtu edhe siç e kishin paralajmëruar, studentët janë mbledhur përpara godinës së Ministrisë së Arsimit për protestuar në lidhje me vendimin e marrë për zhvillimin e mësimit online.
Në ditën e dytë të protestës ata kërkojnë që të zhvillojnë mësim më bare dhe restorante meqënëse ato janë hapur dhe universitetet jo.
‘Duam që seminaret të zhvillohen në auditore, leksionet t’i bëjmë online. Presim të dalim nesër në jetë, po diplomohemi në shtëpi. Baret dhe restorantet janë hapur, univerisitetet janë mbyllur, kjo është absurde. Të shkojmë në lokale të bëjmë mësim meqë ato janë hapur. Autonomia e universiteteteve është shkelur.’- shprehen studentët.
Atyre iu janë bashkuar dhe pedagogë të universiteteve të Tiranës, e një prej tyre ka deklaruar se është kërcënuar nga kryeministri Rama.
‘Jam kërcënuar personalisht nga Edi Rama dhe sot jam këtu, o sot o kurrë’- shprehet pedagogia e cila ishte e pranishme në protestë dhe ditën e djeshme.
Studentët pretendojnë se që prej karantinës së parë të muajit mars, kanë qenë një nga shtresat më të dëmtuara të shoqërisë dhe se qeveria nuk ka menduar asnjë çast për ta. Për shkak të mungesës së meteve teknike, ata shtojnë se mijëra studentë e patën të pamundur ta ndiqnin normalisht procesin mësimor online dhe mijëra të tjerë mbetën të papunë, duke mos patur mundësi të paguanin as qiratë.
Kërkesat e studentëve janë:
1- Mësimi i alternuar ndërmjet online dhe auditore, leksionet online ndërsa seminaret në auditore.
2-Rimbursim i pagesës së konvikteve dhe qirave.
3-Paketat e internetit falas dhe të dedikuara për studentët
4-Mundësim i pajisjeve teknologjike të nevojshme për studentët që nuk kanë akses në mësimin online.