Gjykata e Tiranës ka liruar nga qelia Astrit Carën dhe Besnik Balani, të cilët u arrestuan pas protestës të së hënës. Për Carën e Balanin u caktua masa e kërkuar nga prokuroria e “detyrimit për paraqitje”. Komisioni i Rithemelimit të PD-së e ka konsideruar arrestimin e tyre politik, ndërsa kanë theksuar se për ata nuk ka asnjë provë që përbën vepër penale.
Deputetja e PD, Albana Vokshi ka dalë në një konferencë për mediat ku i kërkoi institucioneve që të mos marrin porosi nga Edi Rama. Ndër të tjera theksoi protestat nuk do të ndalen dhe së shpejti do të bëhet publik plani.
“I bëjmë me dije Edi Ramës dhe gjithkujt që ndodhet pas tij se protestat që kanë filluar, nuk do të ndalen. E përshëndesim qëndrimin e gjykatës, por arrestimi është i paligjshëm. Nuk ka prova për dy qytetarët. Inkurajojmë që hetimin ta bëjnë në mënyrë objektive”, u shpreh Vokshi