NGA XHEZAIR ZAGANJORI
Muajin që lamë pas, konkretisht më 22 tetor 2020, Gjykata Kushtetuese e Polonisë dha një vendim shumë të debatueshëm lidhur me rregullimet ligjore të çështjeve të abortit. Ndër të tjera, ky vendim deklaron si në kundërshtim me Kushtetutën e vendit, një nga tri përjashtimet, që, në bazë të një vendimi të mëparshëm të saj, (Vendimi i Gjykatës Kushtetuese polake i vitit 1993) lejonin gjer tani mundësinë e abortit. Më konkretisht, ndërsa nga viti 1993 aborti lejohej vetëm në rastet kur a) rrezikohet jeta apo shëndeti i nënës, b) në rastet kur shtatzënia vjen për shkak të marrëdhënieve seksuale me dhunë ose incestit dhe së fundi c) kur testet prenatale apo vizitat e specializuara mjekësore tregojnë për një probabilitet të madh të dëmtimit serioz e të pariparueshëm të fetusit, tashmë ai do të lejohet vetëm për dy rastet e para.
Mundësia e tretë e abortit për shkak të dëmtimit apo defektit të rëndësishëm të fetusit, që realisht mbulonte rreth 98% të rasteve totale të abortit, nuk do të njihet më si e tillë. Për më tepër, realizimi i saj në këto kushte do të konsiderohet njëkohësisht edhe si vepër penale (neni 152 i Kodit Penal polak). Në këto kushte, në kuptimin praktik, mundësia e abortit në Poloni vështirësohet jashtëzakonisht shumë, duke u bërë thuajse e pamundur. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese ka ngjallur debate të zjarrta si në planin e brendshëm politik në Poloni, ashtu edhe në nivelin doktrinar, brenda e jashtë vendit. Për më tepër, në Varshavë e qytete të tjera polake ka pasur dhe ka edhe këto ditë demonstrime masive e lëvizje të ndryshme qytetare kundër këtij vendimi. Dhe e gjitha kjo, jo vetëm për faktin shumë të thjeshtë se e drejta e jetës në tërësi zë natyrshëm një vend tepër të veçantë në katalogun e të drejtave themelore.
Garantimi sa më i mirë e sa më i plotë i saj në jetën e përditshme është parakushti më normal apo më elementar për gëzimin e të gjithë të drejtave të tjera. Por edhe për faktin tjetër shumë të rëndësishëm se pjesë përbërëse esenciale e kësaj të drejte janë edhe probleme të tilla madhore e tepër sensitive të jetës së përditshme, si: përcaktimi i momentit të lindjes dhe vdekjes së individit, çështjet e abortit, të eutanazisë, të zhvillimit të bioteknologjisë, të qelizave embrionale, të përcaktimit të qartë të rrethanave që përjashtimisht bëjnë absolutisht të domosdoshme ushtrimin e dhunës ndaj individit që humb jetën, ndalimin e dënimit me vdekje në kohë paqe e lufte e të tjerë. Pikërisht për këto arsye, Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut, përmes jurisprudencës së saj, është përpjekur në vijimësi të japë kontribut me vlerë në përcaktimin e standardeve kryesore që duhet të kenë shtetet anëtare në respektimin e nenit 2 të Konventës (E drejta e jetës).
E në këtë kuadër, pa dyshim edhe për çështjet e abortit. Por sidomos në këtë drejtim ajo ka qenë disi më shumë e detyruar të lërë në dispozicion të shteteve anëtare një hapësirë vlerësimi më të madhe, sepse dihet tashmë që çështjet e abortit janë të lidhura ngushtë nga ana tjetër edhe me historinë, botëkuptimin, ndërgjegjen juridike e shoqërore, traditat, zakonet apo besimin fetar. Si të tilla, përsërisim se ato shpesh janë tepër të ndjeshme e të ngulitura thellë në kulturën shpirtërore e jetësore të popujve të caktuar. Këto fakte konstatohen qartë edhe në mjaft nga vendimet më të njohura apo “më pikante” të Gjykatës së Strasburgut lidhur me abortin, si: çështja Bruggemann & Scheuten kundër Gjermanisë; Vo kundër Francës; Cavelli & Ciglio kundër Italisë e të tjerë, ku për të njëjtat arsye, dallime esenciale në arsyetim vihen re dukshëm jo vetëm mes gjyqtarëve të shumicës e pakicës, por edhe brenda vetë shumicës apo pakicës (siç duket veçanërisht qartë për shembull në çështjen Vo kundër Francës).
E në këto kushte, pa dyshim që diferencat e trajtimit të çështjeve të abortit edhe nga Gjykatat e Larta apo Gjykatat Kushtetuese të shteteve anëtare janë edhe më të mëdha. Nuk është rastësi që vende të tilla anëtare të Këshillit të Europës, të lidhura disi më ngushtë me besimin kristian, tentojnë qartësisht e për arsye që tashmë dihen, të kufizojnë në maksimum mundësitë e abortit. Këtu mund të përmenden sidomos ato shtete ku kisha katolike luan një rol tepër të rëndësishëm në jetën shpirtërore të vendit, siç është rasti i Italisë, Irlandës, Spanjës e veçanërisht Polonisë. Pavarësisht nuancave të ndryshme kritike apo në favor të vendimit në fjalë të Gjykatës Kushtetuese polake, argumentet e palëve ndahen në dy grupe të mëdha.
Krahas qëndrimeve të njohura të kishës, mbështetësit e vendimit, juristë e njerëz të doktrinës, por mbi të gjitha politika vendëse, shpejtojnë ta vlerësojnë maksimalisht atë, duke shkuar aq larg saqë ta krahasojnë ekzistencën për një kohë relativisht të gjatë (nga viti 1993 deri tani) të mundësisë së abortit edhe për shkaqe embryopatologjike të fetusit si thuajse të njëjtë me masat që mori në këtë drejtim edhe diktatura e Hitlerit gjatë viteve ‘30 të shekullit të kaluar në Gjermani, me synimin e “pastrimit dhe forcimit të racës gjermane, pa defekte gjenetike…”, duke i quajtur në atë kohë edhe me termin “masa me natyrë pozitive e negative eugjenike”, të njohura gjithashtu edhe si raste të “abortit eugjenik”. Pikërisht për këtë arsye, në mënyrë aspak korrekte, ato përmendin indirekt pikërisht emërtimin e këtij programi nazist si justifikim për ndryshimet esenciale të çështjeve të abortit përmes vendimit në fjalë të Gjykatës Kushtetuese (tetor 2020). Konkretisht, në këtë vendim thuhet ndër të tjera se “…aborti eugjenik bie në kundërshtim me dinjitetin dhe jetën e çdo qenieje njerëzore, respektimi i së cilës garantohet nga Kushtetuta e Polonisë..”.
Sidoqoftë, duhet të theksohet se në themel të qëndrimit që mban Gjykata Kushtetuese polake, është kuptimi i vetë fetusit si person, që nga momenti i konceptimit apo zënies së tij në barkun e nënës. Në kundërshtim të qartë me këtë qëndrim, Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut garanton jetën e individit si person duke filluar që nga momenti i lindjes së fëmijës, pra, që nga shkëputja e fetusit nga trupi i nënës. Strasburgu e lë mbrojtjen e fetusit gjatë shtatzënisë në diskrecion të plotë të vullnetit të shteteve anëtare. Pikërisht në bazë të këtij qëndrimi, në vendimin e Gjykatës Kushtetuese polake të një muaji më parë, thuhet shprehimisht më tej se “…edhe fëmija i palindur, si qenie njerëzore, e ka të paprekshëm dinjitetin e tij… ai është subjekt që gëzon të drejtën e jetës, ndaj edhe sistemi ligjor duhet t’i garantojë atij mbrojtjen e duvijon nga faqja 1 hur… Fakti i thjeshtë i problemeve shëndetësore apo sëmundjeve të pakurueshme të fëmijës në fazën e paralindjes, lidhur kjo edhe me arsye eugjenike dhe mundësinë e të qenit të sëmurë të fëmijës gjatë jetës, nuk mund të justifikojë ndërprerjen e shtatzënisë, pasi e deprivon atë nga e drejta e jetës si e drejtë themelore…”.
Gjykata Kushtetuese polake shton gjithashtu se “…pikërisht për këtë shkak, e drejta e jetës ka më shumë vlerë se shëndeti i njeriut, prandaj edhe vetë jeta nuk mund të sakrifikohet në emër të shëndetit të fëmijës. Aq më tepër kur bëhet fjalë për fëmijët prenatalë, të cilët kanë nevojë më shumë se kushdo tjetër për mbrojtje e kujdes të veçantë, përfshi këtu edhe mbrojtjen ligjore, para dhe pas lindjes tyre”. Mbi këtë bazë konkludohet se “..lejimi i abortit në këto raste do të ishte një diskriminim i hapur për shkak të problemeve shëndetësore, i cili është i turpshëm të bëhet në kushtet e sotme, ashtu siç janë të gjitha format e tjera të diskriminimit…”. Kundërshtarët e vendimit të mësipërm të Gjykatës Kushtetuese polake, të cilët janë dukshëm më të shumtë, vënë në dukje që në fillim se momenti i vendimmarrjes mbi këtë çështje kaq të rëndësishme është krejtësisht i papërshtatshëm. Përjetohet periudha e vështirë e pandemisë, e cila, ndër të tjera, nuk të krijon mundësinë e qetësinë e duhur për të diskutuar e debatuar gjerësisht e në thellësi për këtë çështje shumë të rëndësishme.
Aq më tepër që vetë kjo krizë e rëndë shëndetësore ka prekur masivisht jetën dhe shëndetin e miliona njerëzve në të katër anët e globit. Nga ana tjetër, theksohet prej tyre se qeveria e djathtë polake keqpërdori menjëherë me këtë rast edhe emërimet e mjaft gjyqtarëve të rinj në Gjykatën Kushtetuese të bëra kohët e fundit në kuadër “të Reformës në Drejtësi”, për të imponuar zgjidhjet radikale që ka program i saj konservator. Në këtë drejtim shkohet deri aq larg sa të theksohet që Polonia po rrëshqet gradualisht drejt një fondamentalizmi fetar dhe moral të pazakontë për botën e krishterë, veçanërisht në Europë. Pa dyshim që kundërshtime të shumta ka edhe për përmbajtjen e argumenteve që jep në vendimin e saj Gjykata Kushtetuese polake. Theksohet ndër të tjera fakti shumë i rëndësishëm se aborti për shkak të çrregullimeve apo problemeve serioze të fetusit është faktikisht aborti absolutisht më i pranueshëm edhe në sytë e publikut të gjerë. Sondazhet tregojnë se kjo mbështetje e abortit për këto raste shkon deri në 80% të popullsisë, mjafton që si rregull të ketë një “rrezik substancial që fëmija do të lindë me të meta serioze”.
Ndër sëmundjet apo defektet më të shpeshta të fetusit prenatal përmenden ndër të tjera sindroma Down, Dwarfism (përmasat e vogla të organizmit për shkak të mungesave në zhvillimin hormonal), Cleft Palate (defektet serioze në sistemin e ORL, shoqëruar këto edhe me zhvillim të vonuar mendor), apo probleme të tjera që kanë të bëjnë me zhvillimin disproporcional të gjymtyrëve e të tjerë. E shumica e shteteve e lejojnë ndërprerjen e shtatzënisë në këto raste pa kufi kohor, deri në momentin e lindjes…… Sigurisht që pa pretenduar që problemi të trajtohet në mënyrë të zgjeruar apo ezauruse në një artikull si ky, duhet shtuar nga ana tjetër se në disa raste, raportohet edhe në mënyrë të dokumentuar që megjithëse analizat, vizitat apo indikacionet e tjera mjekësore mbi probabilitetin e madh të sëmundjes së fetusit apo problemeve të tjera serioze të tij gjatë periudhës prenatale, të ketë rezultuar më pas megjithatë që fëmija të lindë pa probleme të mëdha shëndetësore, e madje edhe pa asnjë problem të tillë. Kjo vlerësohet se ndodh më shpesh veçanërisht në rastet e dyshimeve mbi Sindromën Down.
Edhe ky argument sërish që po përmendet gjithnjë e më shumë këto ditë nga mbështetësit e vendimit të mësipërm të Gjykatës Kushtetuese polake, të marrë muajin që kaloi. Siç shihet, përsërisim se problemi është jo vetëm shumë i rëndësishëm, por edhe mjaft i ndërlikuar. Sidoqoftë, mendoj se vendimi i Gjykatës Kushtetuese polake nuk është në drejtimin e duhur dhe thuajse të gjithëpranuar nga shtetet dhe organizatat e shoqatat ndërkombëtare më të të njohura në fushën e të drejtave të njeriut. Vlerësohet me të drejtë se zbatimi i tij në praktikë do të krijojë probleme të mëdha e vështirësi të shumta në jetën e përditshme. Për më tepër, siç është shprehur edhe një nga ish-gjyqtarët më të shquar të viteve të fundit të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, profesori polak, Lech Garlicki “..gjykatat kushtetuese duhet të jenë shumë të matura e të kujdesshme në këto raste, sepse detyra apo fokusi kryesor i tyre nuk është zgjidhja e çështjeve të përgjithshme me natyrë filozofike, fetare apo mjekësore, pasi kështu ato normalisht kapërcejnë jo vetëm dijet e gjyqtarëve të tyre mbi këto probleme, por ç’është më e rëndësishmja, por, për këtë shkak, ato dalin dukshëm në të njëjtën kohë edhe jashtë kompetencës së tyre…
Detyrë primare e gjykatave kushtetuese është të zgjidhin çështjen konkrete, duke analizuar me kujdes aspektet ligjore të saj, e mbi këtë bazë të vendosin mbi kushtetutshmërinë ose jo të dispozitave ligjore të ligjit në shqyrtim… Ato nuk mund të zëvendësojnë Parlamentin kombëtar, duke bërë vlerësime apo duke përcaktuar hierarkinë e objektivave shtetërore si dhe mënyrën e arritjes së tyre… Parimi i ndarjes së pushteteve e ndalon Gjykatën Kushtetuese të luajë rolin e legjislatorit”. Në këto kushte, në të ardhmen pa dyshim që pritet një bashkëpunim më i ngushtë e më substancial si për sa i përket ndikimit të mjekësisë moderne e sa më pak të kontestueshme në çështjet e abortit, ashtu edhe për sa i përket dialogut konstruktiv që duhet të vendoset sa më parë mbi këto probleme ndërmjet jurisprudencës së Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut me Gjykatat e Larta e Kushtetuese të shteteve anëtare. Një dritare mjaft interesante e me vlerë në këtë drejtim pa dyshim që mund të jetë kontrolli në bazë të Protokollit 16 të Konventës Europiane, i cili ka hyrë në fuqi tashmë që prej dy vitesh. Rrugë jo e lehtë, në fakt, por natyrisht që shumë e dobishme, e ndoshta edhe më se e domosdoshme. Mbase ka ardhur koha për më shumë kurajë edhe nga vetë Gjykata e Strasburgut, për të mos i lejuar vetes që problemi në fjalë të zgjerohet e ndërlikohet edhe më shumë në të ardhmen./Panorama.al