Tre aksidente, me pasojë vdekjen e tre personave, kanë ndodhur në orët e para të mëngjesit të kësaj të enjte.
Një 25-vjeçar i identifikuar si A.Rr., ndërroi jetë pasi makina me të cilën po udhëtonte së bashku me një 19-vjeçar doli nga rruga dhe përfundoi në greminë. Të rinjtë nga Tropoja po udhëtonin nga Tirana drejt Kukësit kur shoferi humbi kontrollin e makinës në Rrugën e Kombit. Shkak i aksidentit dyshohet të jetë pakujdesia dhe manovrimi i gabuar i automjetit.
Ndërsa një 56-vjeçare, e identifikuar si Prena Gjetani ndërroi jetë teksa po udhëtonte me taksi drejt Rinasit së bashku me nusen dhe dy nipërit. Shoferi i taksisë dyshohet se ishte i përgjumur.
Një tjetër aksident me pasojë vdekjen ndodhi në fshatin Boçovë të Fierit. Eduart Metushi, 43 vjeç, ishte duke punuar me zetor në tokat e fshatit Boçovë dhe ka humbur kontrollin mbi drejtimin e tij dhe ka rënë në kanal. Për pasojë e ka zënë zetori poshtë dhe ka ndërruar jetë.
Muaji maj ka regjistruar një sërë ngjarjesh rrugore në të gjithë vendin. Njollë e zezë vijon të mbetet aksi nga Ura e Tapizës deri në Lezhë dhe nga Miloti në Rrëshen.