Një ngjarje e paprecedentë u zbulua ditën e djeshme nga policia e Tiranës, ku një 52-vjeçar mbante prej 6 vitesh të ngujuar në shtëpi gruan dhe dy djemtë e tij të mitur.
Ishin banorët dhe fqinjët ata që raportuan në polici për situatën në të cilën ndodhej familja Laçi. Komshinjtë, të cilët ishin në dijeni të dhunës që Xherxh (Gjergj) Laçi ushtronte ndaj gruas dhe djemve të tij, u shqetësuan pasi prej disa ditësh nuk i kishin parë të dilnin as në dritare.
Gjatë marrjes në pyetje, Laçi ka mohuar të ketë dhunuar bashkëshorten e tij, si dhe dy djemtë, përkatësisht 15 dhe 17 vjeç. 50-vjeçari Laçi ka dëshmuar para oficerëve të policisë dhe të Antiterrorit se nuk i linte fëmijët të dilnin nga banesa për të mos u infektuar.
“Kam ndjekur parimet e mia fetare. Fëmijët dhe bashkëshorten nuk i kam lënë të dalin për t’i ruajtur nga e keqja. Nuk doja që ata të nisnin drogën apo të infektoheshin”, ka pohuar Laçi.
Por krahas dëshmisë së tij, dy djemtë dhe nëna e tyre kanë treguar në prani të psikologëve se ata dhunoheshin sistematikisht. Tashmë ata janë dërguar në një qendër rehabilitimi. Xherxh Laçi, i njohur edhe me emrin Gjergj Laçi pritet të dalë të martën në Gjykatën Penale të Tiranës për t’u njohur me masën e sigurisë.
Fillimisht kanë qenë komshinjtë që lajmëruan policinë pasi dyshuan se Xherxh Laçi mund të kishte dhunuar familjarët. Pasi ka mbërritur policia, Laçi është shprehur se jetojnë në kushte të veshtira ekonomike, ku gruaja e tij nuk punon, ndërkohë fëmijët nuk i dërgonte në shkollë për shkak të besimit radikal dhe frikës se mos infektoheshin apo merrnin rrugë te keqe. Me pas policia është rikthyer dhe e ka arrestuar.
Ai kishte ngujuar bashkëshorten e tij për 6 vite me radhë në zonën e ‘5 Majit’ në Tiranë. Prej 1 viti, 50-vjeçari kishte ngujuar edhe dy fëmijët e tij, të cilët nuk i kishte lënë të vazhdonin gjimnazin pasi kishin përfunduar shkollën 9-vjeçare. Vetë Laçi dilte nga shtëpia vetëm ditën e premte, pasi shkonte në xhami për t’u falur, ndërsa në momentin e arrestimit i janë gjetur edhe libra fetarë.
Sipas fqinjëve ata nuk kishin paguar as faturat e energjisë elektrike, çka ka sjellë edhe ndërprerjen me furnizimin me energji nga ana e OSHEE. Ajo çfarë vihej re në banesë është se Laçi e kishte izoluar ballkonin me çarçafë, për të shmangur çdo kontakt të familjes me botën e jashtme.
Pas operacionit të zhvilluar, në banesë janë gjetur dy thika, shkopinj druri dhe 700 fishekë të cilët i kishte groposur në oborrin e shtëpisë. Xherxh Laçi, i njohur edhe me emrin Gjergji, nuk është krejtësisht emër i panjohur për policinë. Ai është arrestuar në vitin 2013 pasi në të njëjtën zonë ku banon edhe sot qëlloi me breshëri kallashnikovi duke terrorizuar banorët përreth.