Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në fshatin Granitna të Ukrainës pranë kufirit “të nxehtë” me Rusinë, ku janë vrarë dy emigrantë grekë. Mediat greke kanë lajmëruar se dy emigrantët grekë janë vrarë nga ushtria ukrainase.
Ministria e Jashtme greke, përveç se ka lajmëruar se janë vrarë dy emigrantë, shtoi se dy të tjerë janë plagosur rëndë. Autorët e vrasjes së dyfishtë janë tre ushtarë të ushtrisë ukrainase, të cilët janë përfshirë në një konflikt të fortë me emigrantët grekë, i cili agravoi dhe rezultoi fatal.
Nikos Dendias, ministri i Jashtëm grek, pas ngjarjes tronditëse i ka kërkuar shpjegime homologut të tij ukrainas.
“Shprehim dhimbjen më të thellë për vdekjen e papritur të dy emigrantëve tanë dhe plagosjen e rëndë të dy të tjerëve në fshatin Granitna, i cili ndodhet pranë linjës së kontaktit me Rusinë në Ukrainën Lindore. Gjithashtu shprehim ngushëllimet tona të sinqerta për familjet e viktimave, si dhe urimet për shërim të shpejtë të të lënduarve.” është shprehur ai.
Në një njoftim të publikuar në mediat greke, thuhet se Dendias ka kërkuar një komunikim paraprak me homologun ukrainas Dmytro Kuleba, për të theksuar sërish nevojën për të mbrojtur komunitetin grek në Ukrainë.