Tiranë- E gjitha e veshur me të zeza, ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku ka shprehur ngushëllimet e saj për humbjen e jetëve të dy elektriçistëve në lumin Drin.
Selfo Kallfa dhe Ismet Isaraj janë dy elektriçistët që humbën jetën mesnatën e djeshme pasi automjeti i tyre u rrëzua në lumin Drin. Në momentin që dy elektriçistët janë përpjekur të kalojnë lumin janë marrë nga rrjedha.
“Me keqardhje dhe dhimbje të thellë njoftojmë humbjen e dy pjesëtarëve të OSHEE. Ismet Isaraj 64-vjeç dhe Selfo Kafa 52-vjeç me detyrë elektricist në degën e OSHEE Gjirokastër janë nisur për të riparuar një defekt. Pas ndërprerjes së kontakteve forcat e rendit dhe polumbarët kanë nisur kërkimet dhe bënë të mundur gjetjen e trupave të tyre.
Ismeti ka qenë 22 vite pjesë e kësaj familje dhe Selfo 34 vite pasi e kishte nisur punën në moshën 18-vjeçare aq vjeç sa është sot Fabiani i biri i tij.OSHEE do kujdeset për familjet e dy punonjësve të rënë në krye të detyrës. Ne jemi pranë tyre në këto momente të dhimbshme.
Respekt për heroizmin e punonjësve që kanë punuar me vetëmohim në kushte ekstreme për të riparuar çdo defekt, çdo dëm elektrik dhe për të mos lënë askënd pa energji. Kam kërkuar nga drejtuesi i OSHEE dhe OST të paraqesin kërkesën për shpërblim të punonjësve të këtyre dy ndërmarrjeve për të gjithë punën që kanë kryer këto ditë në kushtet e motit esktrem.”- u shpreh Balluku.