Shkodra dhe Lezha rezultojnë qarqet që kanë pasur rritjen më të lartë të jetëve të humbura në raport me popullsinë përkatëse në tremujorin e tretë të këtij viti, në krahasim me korrik-shtator 2019. Pas tyre renditen Korça, Durrësi dhe Tirana.
Të dhënat e përpunuara nga Monitor, bazuar mbi statistikat e INSTAT për vdekjet në tremujorin e tretë dhe popullsinë sipas qarqeve tregojnë se rritjen më të lartë të jetëve të humbura në vend në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë e kishte Shkodra me një shtesë prej 8.4 vdekjesh për 10 mijë banorë. Në këtë qark, në tremujorin e tretë u raportuan 577 vdekje gjithsej, me një rritje prej 41%, ose 169 vdekje më shumë se korrik-shtator.
E dyta, sipas të njëjtës llogaritje është Lezha (me një shtesë prej 7.8 për 10 mijë banorë), që ka parë një rritje të vdekjeve me 46% në krahasim me tremujorin e tretë 2019.
Për Korçën, që renditet e treta me rritjen më të lartë të vdekjeve në raport me ky tregues është 6.
Pas Korçës renditet Durrësi (5.2). Në këtë qark, vdekjet janë rritur me 35%, ose 151 persona kanë humbur jetën më shumë në korrik-shtator të këtij viti, në krahasim me tremujorin e një viti më parë.
Qarku i Tiranës, më i madhi në vend ndonëse ka rritjen më të lartë të numrit më të lartë të jetëve të humbura (me 460 persona më shumë), nëse krahasohet në raport me popullsinë, është i pesti, me tregues 5.1.
Rritjen më të ulët të vdekjeve në raport me popullsinë e kanë Berati, Dibra, Fieri dhe në fund të listës janë Kukësi dhe Vlora.
Të 12 qarqet në vend kanë shënuar rritje të jetëve të humbura në tremujorin e tretë 2020, që përkon me periudhën kur vala e infeksionit të Covid-19 filloi të bëhej agresive.
Në raportimet zyrtare jepen vetëm vdekjet në spitale, që ishin të konfirmuar me tampon, ndërkohë që ka të tjerë, që edhe pse mund të kenë humbur jetën nga Covid-19, nuk janë të raportuar të tillë, pasi nuk kishin konfirmin me tampon. Ka dhe shumë raste të vdekjeve në Turqi, apo të tjerë që kanë humbur jetën në shtëpi, apo që Covid-19 u ka dëmtuar organizmin dhe kanë pasur arsye të dukshme sëmundjen e qarkullimit të gjakut (zemra apo tensioni p.sh).
Një vit më parë, në 2019-n, vdekjet në total u rritën me 133 humbje jete gjithsej. Deri tani, viti më vdekjeprurës, në dekadën e fundit ishte 2015-a, me 1762 vdekje më shumë. Por, 2020-a pritet ta kalojë këtë rekord, siç tregoi dhe tendenca e 9 mujorit, teksa Covid-19 është akoma në kulmin e tij.