Tiranë- Policia e Tiranës ka vënë në pranga një 39- vjeçar i akuzuar për vjedhjen e 8 automjeteve.
Në pranga ka rënë Mirdash Osmani 39 vjeç, banues në Dibër, i dënuar më parë për veprën penale “Vrasja” e mbetur në tentativë.
Njoftimi i plotë:
Finalizohet nga Komisariati i Policisë Nr. 4, operacioni policor “Shupenza”, për zbardhjen e vjedhjeve të automjeteve.
Si rezultat i një pune profesionale dhe hetimore janë zbardhur dhe dokumentuar 8 raste të vjedhjes dhe tentativës për vjedhje të automjeteve.
Vihet në pranga autori i dyshuar, person me precedent të mëparshëm penal në fushën e krimeve ndaj personit.
Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale, automjeti me të cilin autori shkonte në vendin e ngjarjes për të kryer vjedhjet, mjetet që përdorte për realizimin e vjedhjeve, disa nga sendet e vjedhura nëpër automjete dhe 1 aparat celular.
Në vijim të punës për parandalimin e vjedhjeve, zbardhjen e atyre të ndodhura më parë, evidentimin dhe kapjen e autorëve, si rezultat i një pune intensive dhe të mirorganizuar, falë shërbimeve grackë të ngritura për këtë qëllim, shërbimet e Komisariatit Nr. 4 arrestuan në flagrancë gjatë operacionit policor të koduar “Shupenza”, shtetasin M. O., 39 vjeç, banues në Dibër, i dënuar më parë për veprën penale “Vrasja” e mbetur në tentativë.
Nga hetimet dhe provat e siguruara ka rezultuar se ky shtetas është autor i dyshuar i 8 rasteve të vjedhjes dhe tentativës për vjedhje automjetesh në qarkun e Tiranës, konkretisht:
Tentativës për vjedhje të automjetit në pronësi të shtetasit F. P., ngjarje e ndodhur më datë 05.01.2021;
Vjedhjes së automjetit në pronësi të shtetasit R. H., ngjarje e ndodhur më datë 01.10.2020, në rrugën “Shefqet Kuka”;
Vjedhjes së automjetit në pronësi të shtetasit O. F., ngjarje e ndodhur më datë 18.08.2020, në rrugën “Shefqet Kuka”;
Vjedhjes së automjetit në pronësi të shtetasit D. G., ngjarje e ndodhur më datë 29.06.2020, në rrugën e Dajtit;
Vjedhjes së automjetit në pronësi të shtetasit E. B., ngjarje e ndodhur më datë 27.05.2020, në rrugën “Muhamet Deliu”;
Vjedhjes së automjetit në pronësi të shtetasit A. V., ngjarje e ndodhur më datë 05.02.2020, në rrugën e Dajtit;
Vjedhjes së automjetit në pronësi të shtetasit J. B., ngjarje e ndodhur më datë 24.12.2020, në rrugën “Fadil Deliu”;
Gjithashtu, nga kontrollit i servisit të këtij shtetasi, në Shupenzë, Bulqizë, në bashkëpunim me Policinë e Bulqizës, është gjetur dhe sekuestruar një automjet pa targa, i dyshuar në pronësi të shtetasit A. K., i vjedhur nga shtetasi M. O. më datë 16.10.2020, pjesë automjetesh dhe sende që përdorte për të kryer vjedhjet.
Nga provat e siguruara ka rezultuar se ky shtetas studionte vendet dhe mjetet që vidhte, vepronte në orët e vona të natës, duke krijuar kushte dhe duke ndërprerë ndriçimin elektrik të vendeve ku ishin parkuar këto automjete. Po nga hetimet dyshohet se ky shtetas, makinat e vjedhura i çmontonte për t’i shitur për pjesë këmbimi.
Vijon puna për dokumentimin e vjedhjeve të tjera, në të cilat mund të jetë të implikuar ky shtetas.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.