Europol publikoi listën e 56 kriminelëve më të kërkuar në Europë. Mes emrave famëkeq të bosëve të mafias italiane, si Matteo Messina Denaro, është dhe 50-vjeçari shqiptar, Aleks Burreli.
Shqiptari kërkohet nga autoritetet e Qipros, pasi është i përfshirë në vrasjen e trefishtë që ndodhi, më 23 qershor 2016 në Aya Napa. Burreli akuzohet se, së bashku me një bashkëpunëtor, hyri në një restorant në Ayia Napa, i maskuar dhe me armë automatike, duke hapur zjarr e duke vrarë një biznesmen, një oficer policie dhe gruan e tij në sy të fëmijëve të mitur. Gjatë shkëmbimit të zjarrit në vendngjarje mbeti i plagosur dhe një efektiv tjetër policie ndërsa Burreli dyshohet se vrau dhe bashkëpunëtorin e tij.
Burreli u largua nga vendi i ngjarjes me një automjet që u gjet disa kilometra më tutje i djegur. Një vit më pas në media qarkulluan informacione se Burreli ishte eliminuar nga grupet kriminale për të mos mësuar porositësit e krimit të rëndë, por informacionet e Europol tregojnë se ai vijon të jetë në arrati ndaj dhe emri i tij është në listën e më të kërkuarve.