Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha në konferencën e përjavshme me gazetarët, u ndal te fjalimi i kryeministrit Edi Rama në Strasburg.
Rama mbajti një fjalim 60 minuta në Asamblenë e Përgjithshme të Këshillit të Evropës, në lidhje me rishikimin e raportit të Dick Marty.
Berisha tha se kryeministri Rama në Strasburg i futi thikën Kosovës, sepse në momentin më të papërshtatshëm, kur Kosova kishte nevojë për lobim pozitiv për anëtarësim në Këshillin e Evropës, kryeministri lëshoi lumë sharjesh dhe akuzash.
Ky akt nuk ka ndodhur kurrë në historinë 73-vjeçare të këtij institucioni. Por ndodhi për herë të parë me kryeministrin e të parit dhe të vetmit narko-shtet në Europë.
Shqipëria dhe asnjë vend tjetër anëtar i këtij institucioni në 73 vite jetë, nuk ka njohur kurrë një turpërim të tillë.
Edi Rama shpalli në Strasburg aktin e madh të tradhtisë kombëtare, duke shpalosur aty tezën antikombëtare të kombit kosovar. Edi Rama e la Kosovën nën pushtimin serb dhe jugosllav, por nuk foli ndonjëherë për kombin kosovar.
Beogradi promovoi me gjithë fuqinë e tij tezën e kombit kosovar dhe shqiptar. Me këtë tezë, Edi Rama jo vetëm miratoi ndarjen në dysh të kombit shqiptar, por indirekt edhe zhdukjen e kombit, pasi ai është kosovar. Kjo është thika më e rëndë që i futet kombit shqiptar. Ai futi thikën Kosovës, pasi dështoi me turp me tezën e luftës civile në Kosovë, në Strasburg i vlerësoi thjesht si një konflikt humanitar, ndërkohë që ai ishte një gjenocid me bazë racizmin e serbëve ndaj shqiptarëve. I bëj thirrje KiE të votojë Kosovën si anëtaren e saj më të re dhe të mos ndikohet nga fjalimi. Rama i futi thikën Kosovës sepse mbrojti Beogradin me retorikën e tij. së fundi, Edi Rama në Strasburg i futi thikë pas shpine Kosovës sepse zgjodhi si mbrojtje mjetin më të dëmshëm ndaj tyre, presionin politik ndaj Gjykatës së Hagës.