Nga Tom Avril
“Medicalxpress”
Flurona nuk është ndonjë variant i ri i frikshëm i koronavirusit. Dhe nuk është as edhe një term zyrtar shkencor. Por fenomeni i “bashkë-infektimit” me gripin dhe koronavirusin është real, edhe pse për komunitetin e mjekëve nuk është aq befasues.
“Një person mund të infektohet me shumë viruse në të njëjtën kohë, ose me një virus dhe ndonjë lloj tjetër patogjeni, si bakteret ose parazitët. Kjo është një dukuri natyrore”- thotë Iabela Katadori, profesoreshë e asociuar e biologjisë në Universitetin Shtetëror të Pensilvanisë, SHB A.
Kjo nuk do të thotë se është një zhvillim pozitiv. Gati 2 vjet më parë, kur studiuesit britanikë identifikuan disa nga rastet e para të gripit plus Covid-19, ata llogaritën se këta pacientë kishin 2 herë më shumë gjasa të vdisnin, sesa ata që ishin prekur vetëm nga Covid-19.
Deri më tani në këtë pandemi, këto infeksione të dyfishta duket se kanë qenë mjaft të rralla, sidomos dimrin e kaluar, kur shkalla e rasteve me gripit ishte jashtëzakonisht e ulët (një tendencë, që ekspertët e shpjegojnë me distancimin social).
Por teksa rastet e gripit janë sërish këtë dimër në rritje, mjekët thonë se kjo është një arsye më shumë se përse duhen marrë disa masa paraprake të arsyeshme. Së pari të dyja viruset transmetohen përmes ajrit, prandaj për të dyja rreziku mund të reduktohet duke shmangur hapësirat e mbushura me njerëz, të ajrosura dobët, si dhe duke mbajtur maska.
Dhe në të dyja rastet, ka në dispozicion vaksina efektive. Ashtu si çdo vit, vaksina e gripit të këtij sezoni nuk është ideale për të gjitha shtamet virale në qarkullim, por kjo nuk është arsye për të mos marrë një dozë, thotë Tomas Fekete, profesor në Shkollën e Mjekësisë në Universitetin Tempëll.
“Çfarëdo që të bëni për të zvogëluar rrezikun tuaj, ato mbrojnë gjithashtu dhe njerëzit përreth jush. Të paktën 4 pacientë në Spitalin Universitar Tempëll kanë rezultuar pozitivë si për gripin e zakonshëm ashtu edhe ndaj Covid-19”- shton ai. Edhe zyrtarët e Spitalit Universitar Tomas Xheferson, konfirmojnë zbulimin e disa rasteve.
Me shumë mundësi, thotë Fekete, më shumë njerëz janë të infektuar me të dyja viruset jashtë mjedisit spitalor, por nuk janë identifikuar, pasi shumica e njerëzve me simptoma të frymëmarrjes nuk testohen për gripin e zakonshëm. Edhe pse infektimet me më shumë se një virus janë të zakonshme, detajet se si reagon sistemi ynë imunitar janë të ndërlikuara dhe varen nga faktorë të tillë si koha dhe llojet e viruseve.
Gjithsesi mos harroni se në thelb është fjala për një bashkë-infeksion. Gripi dhe koronavirusi janë lloje të ndryshme virusesh. Ato nuk mund të kombinohen në një lloj super-virusi,pasi secili përmban udhëzime gjenetike, që e lejojnë atë të bëjë kopje vetëm të vetvetes.
Po si mund të infektoheni me të dyja viruset? Njëlloj siç infektoheni me vetëm një virus, nëpërmjet ekspozimit. Në rast se një person ndodhet në një vend ku qarkullojnë viruset – domethënë në çdo vend ku janë të pranishëm njerëz të tjerë, atëherë dy ose më shumë viruse mund të shkaktojnë infeksion në të njëjtën kohë.
Në mënyrë ideale, kur dikush ndihet i sëmurë qëndron në shtëpi, duke e reduktuar kështu rrezikun e infektimit me një virus të dytë. Por viruset kanë periudha inkubacioni, duke u shumuar për një ditë ose më shumë brenda trupit, përpara se personi të fillojë të ndihet i sëmurë.
Sidomos Covid-19 ka një periudhë të gjatë para-simptomatike, deri në 4 ditë, ndonëse varianti Omicron duket se i shfaq më shpejt shenjat. Këto viruse të frymëmarrjes hyjnë zakonisht në trupin e njeriut përmes rrugëve të hundës. Shpesh, ato bllokohen në mukus, që më pas tërhiqet dhe shpërndahet në mënyrë të padëmshme në stomak.
Por kur arrijnë të lidhen me qelizat në rrugët e frymëmarrjes, viruset depërtojnë në membranën qelizore, marrin nën kontroll makinerinë e saj të brendshme, dhe fillojnë të kopjojnë veten e tyre. Këtu nis edhe infeksioni. Por a do t’ju sëmurë më shumë Flurona?
Kjo varet nga koha.
Ekspertët thonë se nëse personi është me fat, përgjigja imune ndaj pushtuesit të parë mund të ndihmojë në mbrojtjen kundër të dytit. Kjo sepse linja e parë e mbrojtjes në sistemin imunitar, e quajtur përgjigja e lindur, është jo-specifike, pra nuk i është përshtatur ndonjë lloj virusi specifik.
Qelizat e infektuara reagojnë duke prodhuar proteina antivirale të quajtura interferone, ndër mesin e armëve të tjera, dhe interferonet që ndihmojnë në largimin e një lloji virusi, do të ndihmojnë në përgjithësi në largimin e një tjetri.
Kjo nuk do të thotë se është një ide e mirë të marrësh me qellim një infeksion të dytë, pasi në shumë raste kjo gjë mund të përkeqësojë gjendjen shëndetësore. Ndikimi i një bashkë-infektimi, mund të jetë edhe më i keq, kur infeksioni i dytë është bakterial. Kjo pasi bakteret e kanë më të lehtë të depërtojnë në trupin e njeriut.
Atëherë çfarë duhet të bëni nëse keni “Flurona”? Shumica e njerëzve me këto 2 infeksione mund të mos e kuptojnë këtë gjë, pasi testimi jashtë spitaleve për gripin është i pazakontë. Gjithsesi rekomandohen ndjekja e këshillave të zakonshme:Qëndroni larg të tjerëve. Konsumoni shumë ujë. Telefononi mjekun tuaj, dhe kërkoni kujdes urgjent nëse ndjeni vështirësi në frymëmarrje.
Mbi të gjitha, mos u frikësoni, sidomos nëse jeni vaksinuar kundër njërit virus ose të dyve. Ndërsa vaksina mund të mos ketë parandaluar infeksionin në rastin tuaj, ka shumë të ngjarë që ajo të parandalojë formën e rëndë të sëmundjeve. / bota.al