Kanadaja dhe Gjermania kanë premtuar tashmë më shumë se dy miliardë dollarë në një llogari të re të hapur nga Fondi Monetar Ndërkombëtar për të ndihmuar Ukrainën. Zëdhënësi i FMN-së Jerry Rice tha se dhe vende të tjera gjithashtu kanë shprehur interes.
Ai refuzoi të vlerësonte shumën totale që mund të mblidhej, por tha se “FMN-ja do të donte që ajo të ishte sa më e madhe, duke pasur parasysh nevojat e mëdha të Ukrainës që nga pushtimi rus”. Rice tha se FMN nuk ishte në gjendje të bënte një vlerësim të saktë ose gjithëpërfshirës të dëmeve nga lufta, por ai shtoi se Shkolla Ekonomike e Kievit vlerësoi në fund të majit se dëmi në infrastrukturën fizike tashmë kishte kaluar 105 miliardë dollarë.
Ai po ashtu tha se shuma do të ishte shumë më e lartë nëse do të merreshin parasysh humbjet ekonomike për shkak të uljes së prodhimit, mbylljes së kompanive dhe humbjes së të ardhurave dhe investimeve.