Ish-kryeministri Sali Berisha akuzoi ditën e sotme ish-deputetin e Partisë Demokratike, Mark Markun, të cilin e cilësoi si avokat të kryedemokratit Lulzim Basha. Kështu e cilësoi Markun, gjatë takimit me demokratët e Mirditës që u zhvillua në Pallatin e Kulturës.
Nga ‘Foltorja’, Berisha deklaroi se Komisioni i Rithemelimit do të marrë pjesë në zgjedhjet e pjesshme lokale. Berisha deklaroi se kandidatët do të jetë të gjithë të prezantuar nga qytetarët. Akuzat për kryedemokratin Basha dhe kryeministrin Rama nuk munguan as në këtë mbledhje me demokratët. Berisha tha se pas aferës së Portit të Durrësit dhe 5 Majit qëndron kryedemokrati Lulzim Basha si dhe kryeministri Edi Rama. Sipas Berishës, këta dy persona nuk kanë asnjë lidhje me pluralizmin dhe me lirinë e fjalës.
Në lidhje me deklaratën e Presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan për organizatën FETO, Berisha tha se shqiptarët nuk pranojnë asgjë nga ato që ai ka thënë. Ndër të tjera, Berisha deklaroi se pushteti i kryeministrit Edi Rama është 10 % më i madh se i diktatorit Ramiz Alia.