Korçë- Zbardhen detaje të reja nga grabitja me dhunë e kambistit Shefqet Muço në Korçë, ku autorët i morën 40 milionë lekë. Njëri prej autorëve të krimit, Martin Arëza, i cili u arrestua ditën e sotme nga policia, ka qenë më parë polic.
Arëza ka qenë polic kufiri, ku falsifikonte dokumentet për kalim të paligjshëm. Martin Arëza është arrestuar në vitin 2015 për falsifikim dokumentesh dhe ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve, si dhe është përjashtuar nga radhët e policisë.
Strukturat për Hetimin e Krimit në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, në vijim të veprimeve procedurale të kryera për dokumentimin ligjor të ngjarjes së ndodhur më datë 11.01.2021, në lagjen nr. 1 të qytetit të Korçës, ku 3 shtetas (njëri prej të cilëve u arrestua në flagrancë) i vodhën me dhunë shumën 4.000.000 lekë, shtetasit Sh. M., 57 vjeç, para banesës së tij, si rezultat i bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacioneve me Forcat e Posaçme “Shqiponjat” të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, bënë të mundur kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim për këtë ngjarje:
M. A., 33 vjeç, banues në Korçë (i dënuar më parë për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”);
Gjithashtu është arrestuar në flagrancë shtetasi A. Sh., 28 vjeç, banues në Tiranë.
Shtetasit e mësipërm u kapën në qytetin e Tiranës, nga Forcat e Posaçme “Shqiponja”, me mjetin tip “Volkswagen Polo”, në pronësi të M. A.
Gjatë kontrollit fizik, shtetasit M. A. iu gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një dokument policie dhe simbole të tjera dalluese të Policisë, që ky shtetas i përdorte me qëllim që të shmangte kapjen nga Policia.
Ndaj 33-vjeçarit, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë, me vendimin e datës 28.01.2021, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Vjedhja me dhunë e kryer në bashkëpunim” në lidhje me ngjarjen e ndodhur në 11.01.2021, në Korçë.
Nga hetimet e kryera ka rezultuar se shtetasi A. Sh. e ka përkrahur dhe strehuar shtetasin M. A., pas kësaj ngjarjeje.
Nga ana e Policisë është identifikuar dhe bashkëpunëtori i tretë i dyshuar për këtë ngjarje dhe po punohet për kapjen e tij.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprat penale “Vjedhja me dhunë” kryer në bashkëpunim, “Mbajtja pa të drejtë e uniformës” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”.