Rrugë e re, mënyra të reja. Policia spanjolle ka zbuluar detaje të një rasti të trafikut të kokainës nga Amerika Latine duke vënë në pranga 3 persona mes të cilëve njëri është shqiptar. Ajo që bie në sy është skenari që kishin përgatitur trafikantët për të kaluar drogën në portet spanjolle. Operacioni është zhvilluar në mars të këtij viti, por vetëm tani dolën detaje për shkak të sekretit hetimor.
Lënda narkotike ishte ngarkuar në një anije tregtare të cilës i kishin bërë një shenjë të dukshme në afërsi të helikës. Sapo ka mbërritur në portet spanjolle kanë qenë 2 zhytës të cilët i janë afruar anijes nën ujë dhe kanë tentuar të marrin drogën pa u zbuluar nga rojet bregdetare. Por ata janë pikasur dhe janë vënë menjëjerë në pranga, të ndaluar janë shtetasit peruanë Víctor Meneses López, Edgar Sotomayor Urcuhuaranga dhe Luis Vasconsuelo Rodrigo. Ata po i priste në një makinë edhe shqiptari 42-vjeçar Auron Dule.
Mediat shkruajnë se Víctor Meneses López dhe Edgard Sotomayor ishin teknikë zhytjeje dhe shpëtimi që punonin për Marinën Peruane. Ata kishin lënë vendin e tyre në 4 mars të këtij viti me justifikimin se po shkonin me pushime, por në fakt ata u përfshinë në një rrjet të trafikur të drogës nga Amerika e Jugut.
Ndërsa Luis Vasconsuelo Rodrigo, është një ish-anëtar i marinës tregtare të Perusë. Edhe ai u largua nga Peruja në 24 shkurt të këtij viti fillimisht në Amsterdam të Holandës. Ai ka udhëtuar më herët në vitet 2018 dhe 2019 në Kolumbi, Meksikë, Brazil dhe Panama ndaj autoritetet thonë se ishte përfshirë më herët në trafikun e drogës. Mediat spanjolle shkruajnë se ka tërhequr vëmednjen përfshirja e shqiptarit Auron Dule, një person i shpallur në kërkim ndërkombëtar për trafik droge.
Droga është e pajisur me GPS dhe sapo arrin në port tërhiqet nga zhytësit. Vlera e drogës së kapur arrin në 2.8 milionë euro. Mediat shkruajnë se peruani Vasconsuelo ishte mbajtur për shumë kohë nën vëzhgim nga DEA. Sapo mbërriti në Amsterdam dha shenja të përfhirjes në trafik droge. Më pas në Barcelonë vendosi kontakte me trafikantin e drogës në arrati nga drejtësia, shqiptarin Auron Dule.
Të dy u zhvendosën nga Barcelona në qytezën e Avilés ku morën një shtëpi me qera në 23 shkurt. Më pas erdhën e 2 zhytësit e tjerë peruanë. Në këtë pikë përgjimet u intensifikuan pasi qëllimi i tyre ishte i qartë.
Më 11 mars ata tentuan të tërhiqnin drogën nga anija që kishte ardhur nga Peruja, por u vunë në pranga nga policia. Autoritetet thonë se nëprmejt këtyre anijeve është mundur të trafikohet mbi 400 kg kokainë.