Në këto foto të publikuara nga Balkanweb shfaqet i shumërkuari për vrasje Orges Bilbili. Siç shihet qartë në duar mban armë, të cilën ia ka drejtuar në fytyrë punonjësit të policisë. Është fjala për një efektiv të skuadrës Shqiponja, i cili ishte vënë në ndjekje të dy personave, të cilët kishin thyer rregullat kufizuese të pandemisë, pa e ditur se ishin dy prej njerëzve më të kërkuar të momentit, Orges Bilbili dhe miku i tij Anterio Kaloshi. Të dy refuzuan të ndaloheshin. Dhe kjo bëri që policia t’i ndiqte këmba këmbës.
Kaloshi mundi t’i shpëtonte policisë. Ndërsa Bilbili kërcënoi efektivin, siç dallohet qartë nga pamjet. Në momentin kur polici është ndjerë i rrezikuar, qëlloi në drejtim të të shumëkërkuarit, të cilin e plagosi dhe më pas i vuri prangat. Në ngjarjen e cila u zhvillua përpara shkollës ‘Niket Dardani’ mbeti e plagosur edhe një kalimtare e rastit.
Orges Bilbili dyshohet se në bashkëpunim me Laert Haxhiun ekzekutoi ne shtator të 2017 në Lushnje, Zamir Latifin e Jurgen Hoxhën, ndërsa plagosi një person tjetër. Në shënjestër të krimit ishte Xhulio Shkurti, nipi i kapobandës së Lushnjes Aldo Bare, që mundi t’i mbijetonte atentatit.
Po çfarë dëshmojnë këto foto dhe ku ndryshojnë rasti Bilbili nga ai i Klodian Rashës?
25 vjecari Rasha u qëllua për vdekje me dy plumba nga polici i skuadrës Shqiponja Nevaldo Hajdaraj. Në krye të herës policia tha se vrasja ishte kryer në kushtet e mbrojtjes ekstreme dhe kishte dyshime se Rasha ishte i armatosur.
Në fakt, nuk ishte aspak ashtu. Sipas të dhënave të fundit të dala nga hetimi, rezulton se Klodian Rasha dhe Nevaldo Hajdaraj u përplasen përpara se 25-vjecari të qëllohej për vdekje me plumba pas shpine. Pamjet e zbuluara rishtas dëshmojnë se Nevaldo Hajdaraj e dinte që po qëllonte një person të paarmatosur, çka konfirmon se vrasja është kryer me dashje.
Është e vërtetë që polici qëlloi mbi të shumëkërkuarin Bilbili, por në momentin kur arma ju drejtua në fytyrë dhe rreziku për të ishte i madh, ndërsa mbi Klodian Rashën u qëllua pas shpine. Për këtë shkak mes dy rasteve s’mund të hiqet paralele. Sepse policia e ka të qartë se kur duhet të qëllojë. Ndaj, këto dy raste duhet të shërbejnë për të kuptuar se deri ku mundet një zyrtar policia të kapë armën e të qëllojë, kushdo qoftë personi përballë.
/ Marrë nga Balkanweb