Kompania turke YDA ka nisur zbatimin e projektit për ndërtimin e spitalit rajonal të Fierit.
Gazetari i Top Channel Muhamed Veliu, nga kjo kompani ka siguruar fotot e projektit të këtij spitali, dhuratë e qeverisë turke për Shqipërinë. Projekti parashikon shtrirjen e spitalit në një hapësirë prej 50000 m2. Inxhinierët turq thonë se hapësira e dedikuar godinës të spitalit do të jetë 130.000 m2.
Siç edhe shihet nga këto foto ndërtesa në projekt do të jetë 1 dhe dy kate. Spitali rajonal i Fierit sipas projektit do të quhet Memorial dhe do të ketë 150 shtretër. Afati i ndërtimit nga kompania YDA do të jetë tre muaj.
Javën e shkuar nisi puna për furnizimin e kantierit me energji elektrike dhe ujë.
Një javë më pas kjo është pamja që ka marrë toka e dedikuar për ndërtimin e këtij spitali në Daullas pak kilometra në dalje të Fierit.
Krahas inxhinierëve zbatues që kanë ardhur nga Turqia, ky projekt ka ngjallur edhe interesin e banorëve lokal të Fierit që e konsiderojnë si një mundësi të mirë punësimi.
Drejtoria e shpronësimeve në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjetikës, në një kohë rekord përmbylli të gjithë procesin e shpronësimit të pronareve të tokës ku po ndërtohet ky spital./ TOP CHANNEL