Mhill Gjoka, banor i fshatit Borizanë nuk e lë asnjëherë shtëpinë vetëm. Njësoj si ai, veprojnë qindra shqiptarë, kryesisht të moshuar që prej frikës së hajdutëve janë kthyer në roje të banesave. “Jemi vetëm dy pleq në shtëpi, pasi djemtë i kemi jashtë, por si ne janë edhe shumë persona të tjerë, frika jonë është mos rradhën tjetër të na hyjnë në shtëpi e të na lidhin, siç kam dëgjuar në televizor se e kanë bërë në vende të tjera. Po kemi frikë të rrijmë edhe në shtëpinën tonë”, shprehet 78-vjeçari për Sinjalizo.
Por megjithë masat e marra, për të siguruar shtëpinë dhe pronën, hajdutët hynë në banesën e Mhill Gjokës dhe morën çfarë deshën prej andej. Ishte e pamundur të ruash përnatë zgjuar shtëpinë.
“Kur u zgjuam në mëngjes, gjetëm magazinën e shkatërruar dhe na kishin vjedhur të gjitha materialet, që nga korrësja e barit deri tek bidoni i rakisë“, numëron sendet e vjedhura, Gjoka. Në gjendje pasigurie për jetën, ashtu si janë banorët e zonave rurale që janë vigjëlentë ndaj hajdutëve, 78 vjeçari është një ndër pesë çifte të moshuarish në Shqipëri që jetojnë vetëm dhe që kanë vizitat e padëshiruara të grabitësve- thotë jo zyrtarisht për “Sinjalizo” një zyrtar i policisë.
Shumë prej tyre nuk denoncojnë dhe bëhet fjalë për vjedhjen e bagëtive të imëta, shpendëve, apo produktet e stinës, ashtu siç tregon Fehti Braza nga Tirana, i cili nuk shkoi në polici. “E poqa rakinë në Laprakë dhe në mëngjes e kishin boshatisur, morën kazanin dhe 15 litra alkool që i nxora nga rrushi i blerë. Përse ta denoncoja?” pyet i moshuari, i cili është i bindur se veprimin e ka kryer ndonjë i ri të cilit i nevojiten para.
Çdo ditë dy shtëpi
Të dhënat zyrtare të policisë tregojnë se megjithëse skepticizmin për të mos denoncuar për vjedhje bagëtish, bletësh dhe orendish shtëpiake, gjatë 2021 grabitësit hynë në 744 familje në të gjithë Shqipërinë. Pra vitin e kaluar çdo ditë u denoncua se janë vjedhur mesatarisht 2 banesa në ditë.
Ndërsa në total për veprat penale kundër pasurisë për vitit 2021 kanë ndodhur 4112 vepra penale, ku përfshihen vjedhja e bankave, vjedhja me armë, vjedhja me dhunë, vjedhja e banesave, vjedhje lokale tregtie, vjedhje automjetesh. Nga llogaritjet e bëra nga “Sinjalizo”, rezulton se mesatarisht në të gjithë Shqipërinë kanë ndodhur 11 vepra penale kundër pasurisë në ditë.
Po gjithashtu nga statistikat zyrtare të Policisë së Shtetit që iu vendosën në dispozicion Sinjalizo, rezulton se vetëm 2415 prej këtyre veprave penale janë zbuluar, ose 58.7% e tyre, ndërsa kanë ngelur pa u zbuluar 1697 vepra penale ose 41.3% e tyre. Ndërsa prej veprave penale të vitit të kaluar, në 4 muajt e parë të vitit 2022 janë arritur të zbulohen vetëm 135 vjedhje të vjetra.
https://datawrapper.dwcdn.net/aSAub/1/Renditjen për kryerjen e veprave penale e kryesojnë vepra penale të tjera, ku prej 2580 veprave penale janë zbuluar 1631 prej tyre ose 67%, ndërsa kanë mbetur pa u zbuluar 949 vepra penale të pazbuluara ose 33% e tyre. Më pas renditen vepra penale e vjedhjes së banesave, ku gjithsej kanë ndodhur 744 vepra penale ku vetëm 327 prej tyre janë zbuluar ose 44% e tyre, ndërsa 417 vepra penale nuk janë zbuluar ose 56% e tyre.
Në vendin e tretë renditet vjedhje lokale tregëtie, ku kanë ndodhur 484 dhe janë zbuluar 309 ose 63.8% e tyre, ndërsa kanë mbetur pa u zbuluar 175 vepra penale ose 36.2% e tyre. Në vendin e katërt renditen vjedhja e automjeteve ndodhur gjithsej 207 raste, prej të cilave zbuluar 71 ose 34. 3% e tyre, ndërsa mbeten pa u zbuluar 136 vepra penale ose 65.7%. Vepra penale e vjedhjes së automjeteve renditet si vepra penale ku forcat blu nuk kanë pasur një rendiment të lartë në zbulimin e autorëve të këtyre vjedhjeve.
Përsa i preket grup moshave të autorëve te implikuar rezulton se rreth 35% i përkasin moshës 25-40 vjeç, 41.3 % moshës 18-25 vjeç, të miturit zënë 8.2 % dhe 16 % të moshave të ndryshme. Ndërsa sa i përket elementëve ato janë përdorues të lëndëve narkotike, adoleshentë dhe të mitur me probleme sociale.
Janë implikuar gjithsej 3349 autorë, prej të cilëve 1308 janë arrestuar/ndaluar, 1395 janë ndjekur në gjendje të lirë dhe 646 janë larguar nga vendi i ngjarjes.
Sa i përket raportit të kriminalitetit nga Prokuroria e Përgjithshme për vitin 2021 rezulton se numri më i lartë i proçedimeve të regjistruara për grupveprat e vjedhjes së pasurisë është në prokuroritë pranë gjykatës së shkallës së parë, siç janë: Tiranë regjistruar 43% e numrit total të proçedimeve të regjistruara për këto vepra në shkallë vendi, Durrës regjistruar 12 % e numrit total të proçedimeve të regjistruara, Vlorë regjistruar 7% e numrit total të proçedimeve të regjistruara, Elbasan 5% e numrit total të proçedimeve të regjistruara, etj sipas paraqitjes grafike, ndërsa vërehet se numri më i vogël i proçedimeve të regjistruara për këto grupvepra penale është në prokuroritë pranë gjykatave të shkallës së parë, siç janë: Dibër, Tropojë, Kukës, Krujë regjistruar përkatësisht rreth 1% e numrit total të proçedimeve në shkallë vendi dhe Mat, Pukë, Përmet, Pogradec regjistruar më pak se1% e totalit e numrit të proçedimeve të regjistruara në shkallë vendi për vitin 2021, për veprat penale të vjedhjes së pasurisë.
“Në analizën e të dhënave, rezulton se profili i të pandehurve është 94.04 % meshkuj nga të cilët të mitur 12.84 %, 69.4 % janë me arsim deri 9-vjeçar, 81.78% janë të papunë, 6.3% prej tyre janë përsëritës për të njëjtën vepër penale, ndërsa 12.8% e të pandehurve janë përsëritës për vepra penale të ndryshme. Numri më i lartë i proçedimeve për vjedhjen e pasurisë, është regjistruar në prokurorinë e shkallës së parë Tiranë, 43% e tyre, ndërkohë që koefiçienti më i lartë për 100,000 mijë banorë rezulton në qarkun Tiranë me 386 proçedime, qarkun Vlorë me 385 proçedime dhe qarkun Durrës me 344 proçedime”, thuhet në raportin vjetor të Prokurorisë së Përgjithshme.
Policia: Kemi caktuar zonat me risk
I pyetur në lidhje me masat e marra nga Policia e Shtetit në lidhje më këto vepra penale, Josif Shtëmbari, shef i sektorit kundër krimeve ndaj pronës shprehet se janë bërë analiza vjetore për këto vepra penale dhe janë përcaktuar zonat me risk.
“Aktualisht gjatë muajit janar të këtij viti janë bërë analizat vjetore dhe janë përcaktuar detyra prioritare që kanë të bëjnë me marrjen e masave në radhë të parë në luftën parandaluese, duke analizuar situatat e vjedhjeve, tendencat (biznese, lokale tregtie, makina apo banesa) në çdo territor në qytete dhe qendra banimi, duke përcaktuar zonat me risk dhe vendosur shërbimet e përforcuara të policisë në ato orare ku mundësia për kryerjen e akteve të tilla kriminale është më e madhe”, deklaron Shtëmbari për “Sinjalizo”.
Gjithashtu zyrtari kundër krimeve ndaj pronës thekson se për të ulur numrin e këtyre veprave penale po ndiqet strategjia e bashkëpunimit.
“Është forcuar bashkëpunimi me komunitetin, me strukturat e qeverisjes vendore dhe prokurorit e rretheve gjyqësore, në drejtim të parandalimit të këtij kriminaliteti duke i dhënë përparësi mbajtjes në kontroll të rreptë të personave me rrezikshmëri shoqërore dhe që kanë qenë të dënuar në vendin tonë apo në vendë të ndryshme të BE për vjedhje apo krime të tjera të kësaj natyre.Është rritur bashkëpunimi me strukturat e policive të vendeve të tjera, duke shkëmbyer informacione të ndërsjellta nëpërmjet INTERPOL dhe Europol për personat që kanë rekorde kriminale në vendet ku kanë emigruar dhe aktualisht kemi patur rezultate dhe janë zbuluar disa nga krimet e rënda në drejtim të pronës”, shpjegon zyrtari i policisë për “Sinjalizo”.
Shumë masa, por akoma më shumë hajdutë
Por edhe pse sipas shefit të sektorit kundër krimeve ndaj pronës janë marrë masa, statistikat e tre muajve të parë të vitit 2022 tregojnë se pothuajse ka një trend të njëjtë me vitin 2021 për krimet kundër pasurisë. Vetëm për periudhën janar-mars 2022, kanë ndodhur gjithsej 885 vepra penale ose mesatarisht 10 vjedhje në ditë, nga prej të cilave 556 jane zbuluar ose 63.95 % e tyre, ndërsa 329 vepra penale janë të pazbuluara ose 36.05% e tyre.
Ekspertët: Vjedhja e shtëpisë shton pasigurinë
Pedagogu i çështjeve të sigurisë dhe ish-drejtues i policisë, Pëllumb Nako thekson se vjedhja e një banese nuk ndikon njëlloj tek një individ në krahasim me vjedhjen e një makine. Kjo bën sipas Nakos që të shtohet edhe ndjenja e pasigurisë.
“Vjedhja e një banese dhe vjedhja e një makine në parkim, nuk ndikojnë njëlloj në ndjenjën e sigurisë së një individi. Pra të të vjedhin banesën është më traumatike sesa makinën, pavarësisht nga vlera. Fakti që policia vlerëson si të rëndë një vjedhje me vlerë monetare të madhe dhe një tjetër me vlerë minimale, mund të jetë shkaku i rënies së zbulueshmërisë. Dhe ky nuk është qëndrimi i duhur. Nëse dikujt i vidhet një makinë e re, i cili ka vlerë të madhe financiare, bën që policia të mobilizohet, kurse vjedhja e një biçiklete mund thjesht të shënohet e të mos vihet ujët në zjarr nga ana e saj. Ndërkohë policia nuk vlerëson në këtë rast ndjenjën e pasigurisë që krijohet në të dy rastet: te i pari, megjithëse makina ka vlerë të lartë, viktima ka patjetër burime financiare për të blerë një tjetër, apo të kompensohet nga siguracionet. Për rrjedhojë ky individ nuk shokohet dhe nuk preket nga ndjenja e pasigurisë. Kurse në rastin e biçikletës, viktima mund të jetë një individ i këputur ekonomikisht dhe as nuk ka mundësi të blejë një tjetër e as të shkojë në punë. Pra shoku psikologjik që shkakton ndjenjën e pasigurisë tek ai është mjaft i madh, për më tepër që policia nuk vë ujët në zjarr”, shprehet ish-drejtuesi i policisë, Nako.
Të frikësuar nga hajduti!
Pasigurinë ndaj vjedhjeve e shpreh edhe Barometri i Sigurisë në Shqipëri. Në një anketë kombëtare të zhvilluar nga Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes, 42.26% e të anketuarve e cilësojnë vjedhjen si kërcënimin kryesor ndaj sigurisë personale.
“Vjedhjet, konfliktet për pronën, grabitjet, vrasjet dhe veprimtaria e krimit të organizuar perceptohen si kërcënimet më kryesore të sigurisë personale. Krahasuar me sondazhin e kaluar, veprimtaria e krimit të organizuar (nga 4.66 në 10.23%) dhe dhuna në familje (nga 1.61 në 3.38%) kanë një rritje më shumë se dyfishin e përqindjes së rezultateve të vitit 2019”, thuhet në Barometrin e Sigurisë në Shqipëri.
Shkroi: Klevis Paloka
Marrë nga ACQJ.al