Skandali “Pandora papers” zbuloi dokumente sipas të cilave “Energoinvest” që ndërtoi linjën e re të energjisë elektrike midis Shqipërisë dhe Kosovës, i ka paguar 3.6 milion euro një kompanie të vogël konsulence në Emiratet e Bashkuara Arabe.
BIRN siguroi dokumente sipas të cilave shqiptari Vasil Kallupi ishte administrator i kompanisë së konsulencës AL Energy Transmission LTD e themeluar në vitin 2013.
Ndërkaq pas publikimit të këtyre fakteve në lëvizje është vënë edhe SPAK. Gazetari i BIRN Besar Likmeta zbuloi në emisionin “Open” se ka pasur një bisedë telefonike me kreun e SPAK, Arben Kraja, të cilit i ka dhënë kontaktet e organizatës por asnjë dokument.
Gazetari shton se në të dhënat e publikuara nga BIRN ka mjaft indicie për të nisur hetimet ndaj biznesmenit.
“Kam pasur një telefonatë me Arben Krajën. I kam dhënë kontaktet e organizatës. Nuk është e natyrës e gazetarit që të ndajë dokumente me institucione. Zbatimi i ligjit është detyrë e prokurorisë kur ka publikim të të dhënave kur ka dyshime. Është për tu parë se çfarë do të prodhojë organi i akuzës”, – tha ai.
I pyetur mbi mundësinë e zhvillimit të një hetimi mbi çështjen Likmeta thotë: “Dhe për të dhënat që kemi publikuar, besoj se ka indicie për të nisur hetimet. Për gazetarët kërkohet dhe punë ekstra, edhe në rastin e dyshimeve. Nuk mjafton thjesht ta marrësh një dokument dhe ta bësh publik”.