Komisioni i Venecias shprehu kritika të forta ndaj shumicës për mënyrën se si u veprua me ndryshimet kushtetuese që prekin zgjedhjet, të miratuara në fund të muajit korrik nga Parlamenti, ndërsa vlerëson se ato nuk mund të konsiderohen ndryshime thelbësore që cenojnë parimin e stabilitetit të ligjit zgjedhor.
Duke diskutuar për këtë çështje, analisti Agron Gjekmarkaj thekson se Komisioni i Venecias i dha të drejtë Presidentit Ilir Meta.
“Ata na kanë zbuluar paradigmat e së keqes. I kanë dhënë të drejtë Metës që kur këto ndryshime u shfaqën por në fund na ka thënë vrisni veten se nuk do merremi ne, prandaj përmendin Gjykatën Kushtetuese në fund. Ata i kanë diskutuar aty gjithë problemet politike”, tha Gjekmarkaj në “Open”.
Analisti Andi Bushati u shpreh: “Për mua Venecia, ndryshe nga më para këtë herë është më e tërhequr, ndërsa njerëzit e mazhorancës thërrisnin fitore, nuk shkaktoi ndonjë tërmet.
Por po ta lexosh në tërësi opinionin jep përgjigje thelbësore për debatin politik në vend. Na ka dhënë një shpjegim për dilemën që kishim që kush kishte të drejtë në debatin e koalicioneve”.