Më shumë se një vit nga pandemia e koronavirusit, lodhja nga masat shtrënguese dhe mbyllja tashmë është e dukshme në Gjermani.
Zhgënjimi për zgjatjen e përsëritur të lockdownit është rritur dhe po shtohen zërat kundërshtues që kërkojnë hapjen e vendit pavarësisht pasojave. Zakonisht periudha e pranverës që përkon me festimin e pashkëve, tradicionalisht në Gjermani është një mundësi për shumë gjermanë që të bëjnë një interval të shkurtër pushimesh në vend apo në jugun e ngrohtë. Vitin e kaluar festimet e Pashkëve u sakrifikuan për shkak të pandemisë e duket se dhe ky vit nuk ka për të qenë ndryshe.Kryeministri i landit të Saksonisë, Michael Kretschmer e përjashtoi në fundjavë, mundësinë për pushime në periudhën e Pashkëve për shkak të pandemisë, ndërsa qeveria gjermane nuk është prononcuar ende për këtë.
Por ekspertet janë në anën e publikut në këtë rast. Përkundër rezervave Të politikës, studiuesit e turizmit dhe udhëtimeve thonë se nevoja për të pushuar është sot më e madhe se kurrë. Edgar Kreilkamp, u shpreh për agjencinë EDP, për shkak të kufizimeve të koronavirusit shumë pak njerëz arrijnë të relaksohen në përditshmëri, “prandaj nevoja për pushime është e madhe.” Pushimet do të ishin një arrati nga stresi i sëmundjes e do të bënin të mundur që kufizimet të durohen edhe më tej.