Shtetet e Bashkuara po ballafaqohen me valën e të ftohtit dhe në veçanti Teksasi, ku miliona njerëz kanë mbetur pa energji elektrike dhe ngrohje, vullnetarët kanë filluar t’i ndihmojnë për të tejkaluar këtë krizë.
Mes tyre është edhe çifti i bashkëshortëve, shqiptarë nga Kosova, Ari Isufaj dhe Blinera Shurreca, të cilët janë pronarë të restorantit Bella Italia Ristorante në Teksas, të cilit hapën dyert për të gjithë ata qytetarë në nevojë.
Madje treguan edhe njëherë zemërgjerësinë dhe mikpritjen e traditën shqiptare – se duhen ndihmuar të tjerët në ditët më të vështira. Ari dhe Blinera këto ditë kanë shërbyer më shumë se 500 vakte me ushqim falas.
Dyshja ishin të ftuar edhe në televizionin Fox, ku me modesti folën për atë se çfarë i shtyu të ndërmarrin këtë veprim. Ari tha se dy vite më parë kur filluan biznesin ishte një përvojë e veçantë, e pas pandemisë së COVID-19, menduan se do të falimentojnë, por ishin klientët ata që i ndihmuan të mbijetojnë, raporton Telegraf.