Në Shqipëri, ambasadorja amerikane Yuri Kim dhe ambasadori i Delegacionit të Bashkimit europian, Luigi Soreca përsëritën sot sërish me forcë nevojën që Këshilli i Emërimeve në Drejtësi të çojë përpara procesin e vlerësimit të kandidatëve për tre poste vakante në Gjykatën Kushtetuese. Sipas ambasadores Kim, nuk ka asnjë arsye praktike që Gjykata Kushtetuese të mos jetë funksionale deri në 31 Dhjetor.
Për të disatën herë brenda një kohe të shkurtër, ambasadorja amerikane Yuri Kim, por dhe homologu i saj europian Luigi Soreca, patën në qendër të vëmendjes procesin e plotësimit të vendeve të mbetura bosh në Gjykatën Kushtetuese. Sot ata ju rikthyen sërish kësaj teme, duke këmbëngulur në nevojën që të ecet përpara.
Ambasadorja amerikane ishte e drejtpërdrejtë kur shkruajti në një postim në Twitter se “Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, duhet të mblidhet këtë javë për të përfunduar vlerësimin dhe për t’i dërguar listën e kandidatëve, Presidencës dhe Parlamentit. Proceset duhen respektuar por jo abuzuar” shkruajti ambasadorja Kim.
Në fakt KED-ja u mblodh sot, por vetëm për të miratuar proceserbalin e mbledhjes së kaluar, ndërkohë që në proces vlerësimi ajo ka dhe dy kandidatë të tjerë për një nga vakancat e Presidentit. Ndërkaq duket se situata u komplikua më tej dhe pas një vendimi po të ditës së sotme, të Gjykatës administrative të Apelit, e cila rrëzoi një vendim të KED-së që skualifikonte kandidaten Zhaklina Peto. Kjo është hera e dytë që Gjykata kundërshton Këshillin e Emërimeve, lidhur me vendimet ndaj kësaj kandidateje. Rikthimi në garë i Petos, do të thotë një rinisje e procedurave nga e para për të.
Aktualisht KED-ja po shqyrton kandidaturat për tre vende të mbetura bosh, dy të shpallura nga presidenti dhe një tjetër nga parlamenti. Situata duket të jetë e ngjashme me atë të nëntorit të kaluar, ku për shkak të numrit të kufizuar të kandidatëve, pati interpretime të ndryshme që çuan në një përplasje të fortë mes dy institucioneve.
Për vakancën e parë të Kreut të Shtetit, janë kualifikuar vetëm dy kandidatë, Altin Binaj dhe Sonila Bejtja. Në këtë vakancë është dhe kandidatura e Petos që u rikthye sot në lojë.
Për vendin e shpallur nga parlamenti, është vetëm një kandidaturë, sërish zoti Altin Binaj, i cili është po kandidat, dhe në vakancën e dytë të Presidentit. Për këtë vend bosh, ka dhe një tjetër kandidat të kualifikuar, ndërsa janë dhe dy të tjerë në proces vlerësimi.
“Nuk ka asnjë arsye praktike që Gjykata Kushtetuese të mos jetë funksionale deri 31 dhjetor. Është çështje vullneti”, shkruajti zonja Kim në Twitter. Një qëndrim i përforcuar menjëherë edhe nga ana e ambasadorit Soreca sipas të cilit “është jetike që KED të përmbyllë me shpejtësi vlerësimin e kandidatëve për postet vakante në Gjykatën Kushtetuese, duke u bazuar në opinionin e Komisionit të Venecias. Garantimi i funksionimit të plotë të Gjykatës është një kusht themelor për nisjen e bisedimeve për anëtarësim në Konferencën e parë ndërqeveritare”.
Nga ana e saj, ambasadorja Kim nënvizoi dhe rolin e aktorëve politik në këtë çështje, kur shkroi se “udhëheqësit duhet të tregojnë vullnetin e tyre të vërtetë”. Në kushtet kur numri i kandidatëve është i kufizuar, nevojitet një bashkëpunim mes parlamentit dhe presidentit, në mënyrë që përzgjedhja e njërës palë, të mos nxjerrë jashtë loje palën jetër, e po ashtu dhe interpretimi që ato, do t’i bëjnë faktit, që lista ka mbetur me më pak se tre kandidatë. Deri më tani të dyja palët i kanë kërkuar KED-së, që pavarësisht situates së krijuar, të vijojë me procesin deri në fund duke përmbyllur dhe fazën e pikëzimit dhe më pas renditjen e kandidatëve, kur është më shumë se një i tillë.
Nëse në fund të procesit dhe do të zgjidhen 3 anëtarë të rinj të Gjykatës Kushtetuese, atëherë numri i trupës që e përbën atë shkon në 7, duke bërë të mundur që ajo të rinisë nga funksioni, ndonëse jo me të gjithë 9 anëtarët e saj. /VOA/