Gjykata e Apelit në Gjykatën e Posaçme ka rrëzuar kërkesën e avokatit duke lënë në fuqi masën e sigurisë arrest me burg për ish-drejtorin e RTSH-së Thoma Gëllçi dhe anëtaret e komisionit që u arrestuan pak ditë më parë për tenderin e RTSH Agro.
“Gjykata e Posaçme e Apelit per Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ne zbatim te nenit 249/6 te K.P.r. Penale, vendosi: Miratimin e vendimeve nr 79, dt 07.10.2021 dhe nr 80, dt 11.10.2021 te Gjykates se Posacme te Shkalles se Pare per Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar” thuhet në vendimin e dhënë nga gjyqtarja Saida Dollani.
Ishte tenderi me vlerë mbi 86 milionë lekë për blerje të pajisjeve për kanalin “RTSH Agro” që çoi në pranga ish-drejtorin e RTSH-së Thoma Gëllçin së bashku me 3 ish anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave.
Fillimisht shkeljet u kallëzuan nga kompania humbëse dhe më pas u konstatuan edhe nga një audit i Kontrollit të Lartë të Shtetit. Ndër shkeljet e konstatuara ishte nisja e tenderit 2 vjet përpara se AMA të jepte licencën për hapjen e një kanali të ri dhe 1 përpara se RTSH Agro të niste transmetimet. SPAK e kishte nisur proçedimin penal për këtë tender në datën 28 shkurt të 2020.
Ish-Drejtori i RTSH-së akuzohet ka kryer me dashje veprime që vijnë në kundërshtim me ligjin duke konsumuar elementët veprës penale të ‘’Shpërdorimit të detyrës”. Për 3 punonjësit e tjerë rëndon akuza e shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera e kryer në bashkëpunim.
Pas arrestimit Gëllçi, ka vijuar betejën në Gjykatën Administrative me Radio Televizionin Shqiptar duke e quajtur të padrejtë shkarkimin nga detyra. Krahas dëmshpërblimit për largim sipas tij të padrejtë nga detyra, ish drejtori i RTSH-së kërkon dhe hapjen garës për drejtues.