Shoqata e arbitrave shqiptarë reagoi pas dhunimit të arbitrit Elis Pulajn, i cili u godit me gurë në kokë në ndeshjen e djeshme të Kategorisë së Dytë Delvina-Albpetroli, incident që solli dhe ndërprerjen e ndeshjes.
Përveç shprehjes së solidaritetit, Bashkimi i Arbitrave Shqiptarë të Futbollit kërkoi që organet e drejtësisë dhe ato sportive të marrin vendimet e duhura për ngjarjen e ndodhur.
Reagimi i Shoqatës së Arbitrave
Bashkimi Arbitrave Shqiptar të Futbollit shpreh shqetësimin e thellë për incidentin e ndodhur sot në ndeshjen e Kategorisë së Dytë, Delvina-Albpetroli, dhe dënon sulmin e dhunshëm ndaj gjyqtarit Elis Pulaj.
BASHF shpreh solidaritetin më të fortë me gjyqtarin Pulaj dhe, duke i uruar atij shërim sa më të shpejtë, kërkon reagimin e menjëhershëm të organeve kompetente për ndalimin e autorëve të dhunës dhe vënies para përgjegjësisë penale.
Gjithashtu, u bëjmë thirrje klubeve të futbollit që të marrin të gjitha masat për të parandaluar akte të tillë të turpshme. Ne nxisim lojën “fair play” dhe theksojmë me forcë se dhuna nuk ka vend në futboll.