KORÇË– Policia ka publikuar njoftimin zyrtar për grabitjen e ndodhur në Korçë. Në njoftim zyrtar bëhet me dije se ngjarja e rëndë që përfundoi me dy të plagosur ka ndodhur rreth orës 06:10, në lagjen nr. 1, në rrugën e “Bilbilave” në Korçë.
Në njoftim theksohet gjithashtu se një prej grabitësve është vënë në pranga, ndërsa dy të tjerë po kërkohen për tu arrestuar gjithashtu.
Njoftimi i policisë
Më datë 11.01.2021, rreth orës 06:10, në lagjen nr. 1, në rrugën e “Bilbilave”, Korçë, tre persona dyshohet se nën kërcënimin e armës i kanë vjedhur me dhunë shtetasit Sh. M., me profesion kambist, një sasi lekësh para banesës së tij.
Reagimi i menjëhershëm i Policisë, bëri të mundur ndalimin e njërit prej autorëve të dyshuar të ngjarjes, i cili ndodhet aktualisht për ndihmë mjekësore në Spitalin e Korçës, pasi ka marrë lëndime gjatë përplasjes fizike me kambistin dhe forcat e policisë, ku ka tentuar të shmangë kapjen nga ana e tyre.
Ndërsa po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve të tjerë, të cilët kanë mundur të largohen me shpejtësi nga vendngjarja me një automjet. Nga ana e Policisë janë ngritur pika kontrolli, po bëhet krehja e zonës si edhe po kryhen veprime të tjera hetimore, të cilat do të ndihmojnë në zbardhjen e sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Mëngjesin e sotëm, tre persona të maskuar dhe të armatosur u futën të grabisin shtëpinë e një kambisti, por gjithçka degradoi në përdorimin e armës së zjarrit. Pronari i shtëpisë, kambisti dhe një nga grabitësit kanë mbetur të plagosur dhe janë dërguar ne spital për ndihmë mjekësore, ndërsa dy grabitësit e tjerë, janë arratisur bashkë me një sasi lekësh.