GREQI– Masat kufizuese me Greqinë do të shtyhen deri me datën 20 nëntor. Ky është vendimi që ka marrë qeveria greke pas rritjes së rasteve me COVID në vend.
Lajmin e ka bërë të ditur Ministria e Punëve të Jashtme në Shqipëri me anë të një postimi në faqen e saj zyrtare. Aty shkruhet se personave që duhet të udhëtojnë drejt Greqisë do u kërkohet të kenë një rezultat negativ të testit molekular të kryer jo më shumë se 72 orë përpara. Ndërkohë pas kalimit në vendin fqinj ata do duhet të karantinohet për 7 ditë në banesën e tyre.
Njoftimi i qeverisë greke:
“Qeveria greke ka vendosur të shtyjë deri më 30 nëntor masat kufizuese me Shqipërinë, duke marrë shkas nga të dhënat e fundit epidemiologjike. Të gjithë personave që udhëtojnë në Greqi do t’u kërkohet të kenë rezultat negativ të testit molekular (PCR) për COVID-19, të kryer deri në 72 orë para hyrjes së tyre në vend. Certifikatat e testit RT-PCR duhet të jenë të shkruara në anglisht dhe të mbajnë emrin dhe pasaportën/numrin e identitetit kombëtar të udhëtarit. Për fëmijët nën 10 vjeç ky test nuk do të jetë i detyrueshëm. Të gjithë udhëtarët do të duhet të plotësojnë dhe paraqesin formularin e tyre PLF dhe mund t’i nënshtrohen testimit të rastësishëm pas mbërritjes në kufirin grek. Pas kalimit në vendin fqinj, udhëtarët do të duhet të vetë-izolohen për 7 ditë”, thuhet në njoftim.