Autopsia ka konfirmuar se trupat e gjetur në katër valixhe në Firence të Italisë janë të çiftit shqiptar, Shpëtim dhe Teuta Pasho, 62 dhe 60 vjeç.
Sipas Corriere della Sera, në kërkim është shpallur djali i tyre, Taulanti.
Pikërisht më 2 nëntor 2015, ditën kur çifti u zhduk, ata kishin shkuar për të takuar djalin e tyre. Ai do dilte nga burgu i Soliçianos, ku kishte kaluar 4 vite për tregti droge.
Sipas gazetës italiane, Taulanti 28-vjeçar është shpallur në kërkim në mbarë botën.
Mendohet se ai është i fundit që ka parë gjallë prindërit e tij. Gazeta thekson se hetuesit mendojnë se ai është personazhi kyç për të zbardhur këtë masakër.
Prindërit kishin mbërritur nga Shqipëria për ta takuar atë dhe u zhdukën në të njëjtën ditë kur i biri duhej të ishte njeri i lirë.
Trupat e tyre u gjetën në katër valixhe. Mendohet se aty kanë qëndruar për muaj, ndoshta edhe për vite.
Më herët ishte thënë se vrasja makabre e çiftit mund të ishte një sinjal për të afërmit e tyre.
Misteri i asaj që ndodhi më 2 nëntor 2015 vazhdon, derisa të mësohet nëse ishte një hakmarrje ndaj djalit problematik, Taulantit, apo diçka tjetër.