Kryeministri Edi Rama gjatë inaugurimit të pediatrisë së re në QSUT tha se mjekët do të vlerësohen sipas performancës së tyre. Kryeministri Rama tha se rroga bazë nuk preket por ajo do shtohet në bazë të performancës.
“Plotësimi i kushteve për tu dhënë mjekëve hapësirë optimale për të ushtruar profesionin është motiv i fortë për të shërbyer me përkushtim. Sigurisht njerëzit janë kyçe për të bërë ndryshimin, por është e pamundur të imagjinosh se ato do të japin më të mirën e tyre kur kushtet janë të pafavorshme. Sot jemi në një fazë tjetër, por duhet të shkojmë përtej godinave dhe kushteve fizike, jo vetëm me fuqizimin e mbështetjes për personelin, por dhe me krijimin e një hapësire të re ndërveprimi mes personelit të spitaleve dhe vetë shtetit.
Po hyjnë në fazën e zbatimit për autonominë spitalore, për t’i dhënë mundësi mjekëve që të vlerësohen sipas meritës dhe meritën ta vënë në pah. Kush punon më shumë do paguhet më shumë dhe procesi i administrimit të të ardhurave në dispozicion të spitaleve të kalojë përmes kësaj strukture të re funksioni dhe u jep mjekëve pushtet vendimmarrës për shumëçka, përtej pagës së tyre për furnizimet, për mënyrën se si organizohen brenda të gjitha ndërveprimet dhe për investimet. Paga bazë nuk bie më poshtë, ndërsa më lartë për ata që i japin më shumë sistemit për shkak të aftësisë së tyre. Do jetë një sistem i tërë pikëzimi që do të tregojë aftësistë e të gjithë personelit mjekësor. Brenda këtij mandati përmbyllim çdo pjesë të QSUT që ka nevojë të hyjë në këtë standard. QSUT do të kthehet në kompleksin me modern të rajonit.”, tha Rama