Jakub Blazcikovski, ose siç thirret nga miqtë e tij “Kuba”, është një nga ish-yjet e kampionëve të Gjermanisë, Borussia Dortmund, si dhe kapiten i Kombëtares së Polonisë. 35-vjeçari ka përjetuar një dramë të madhe në jetën e tij, një histori që i ngjan një filmi horror hollivudian.
Blazcikovski ishte vetëm 10 vjeç kur asistoi në masakrën e babait të tij, Zyhmunt, tek godiste pa mëshirë deri në vdekje me një thikë bashkëshorten, Anën. Ky imazh i vdekjes së të ëmës e tronditi aq shumë “Kubën”, saqë për pesë ditë me radhë nuk ishte në gjendje të ngrihej nga krevati.
I mbushur me urrejtje për masakrën e babait, Jakub u rrit nga gjyshja dhe xhaxhai në qytetin e vogël të Truskolasit. Ndërsa kanë kaluar më shumë se 20 vjet nga ky makth, futbollisti kujton:
“Nuk do ta kuptoj kurrë arsyen që e shtyu tim atë të bënte atë krim. Pas atij episodi kam gjithë jetën që pyes veten, pse? Duhet të jetoj me këtë tmerr gjatë gjithë jetës sime, edhe pse për disa vite me radhë nuk kam dashur të flas për këtë episod. Jam munduar ta harroj, por është e pamundur ta shqis nga mendja një pamje të atillë. Gjithsesi, vitet kalojnë dhe unë jam bërë më i fortë, aq sa tani mund të përballem me jetën dhe të flas për atë moment tragjik të jetës sime”. Blazçikovski është një besimtar katolik i devotshëm, lexon Biblën çdo ditë dhe çdo gol që shënon ia dedikon mamasë të tij, i bindur se ajo e mbron nga qielli. “Unë e di që mamaja ime kujdeset çdo ditë për mua nga atje lart, jam i sigurt“, u shpreh kapiteni polak.
Zygmunt ka kaluar 15 vjet në burg për krimin e bërë, përpara se të lirohej në vitin 2019. Por “Kuba” nuk i ka folur më kurrë babait, edhe pse nuk mungoi në funeralin e 56-vjeçarit, i cili u vetëvra pak muaj më parë.
Jakub Blazcikovski ka ndërtuar një jetë të re pas atij tmerri, që e kushtëzoi të hiqte dorë nga futbolli për disa kohë. Më pas u martua me Agatën dhe së bashku kanë një vajzë 9-vjeçare, Olivian. Dje, fatkeqësisht ai nuk ishte protagonist pozitiv në humbjen e pësuar përpara syve të tifozes së tij speciale, gjyshes Felicja Bërzeczek.
“Pa ndihmën e gjyshes, jeta ime mund të kishte marrë një rrjedhë të gabuar, por është vetëm falë saj nëse sot kam nisur të shijoj dhuratën e Zotit, jetën. Felicja është krenaria ime më e madhe, shpëtimtarja ime dhe e vëllait tim”, përfundoi futbollisti polak./ R.S