TIRANE– Ambasadori i BE-së në Shqipëri Luigi Soreca nëpërmjet një deklarate të postuar në rrjetet sociale është shprehur se Shqipëria ka bërë hapa para sa i takon procesit të integrimit dhe plotësimit të kushteve për anëtarësimin në Be.
Ai shton se po ashtu edhe institucionet e pavarura duhet të japin rezultate pasi mbi 90% e shqiptarëve duan integrimin europian në BE të vendit të tyre.
“Shqipëria vazhdon që të bëjë përparim dhe Marsin e kaluar bëri një hap të madh më pranë Bashkimit Evropian kur Këshilli vendosi të hapë negociatat e pranimit. Tani Shqipëria është afër përmbushjes së kushteve të kërkuara. Në këtë moment kritik, të gjitha palët politike duhet të investojnë në ndërtimin e një konsensusi të domosdoshëm politik dhe të gjitha institucionet e pavarura duhet të japin rezultatet e nevojshme, për të ndjekur objektivin e përgjithshëm që ata ndajnë, të integrimit të Shqipërisë në BE. Kjo është ajo që dëshirojnë më shumë se 90% e popullit shqiptar”, shkruan Soreca në postimin e tij.
Kjo deklaratë e Sorecës, vjen një ditë pasi Holanda i vendosi veton Shqipërisë, për tryezën e parë ndërqeveritare, duke e shkëputur atë nga Maqedonia e Veriut.