TIRANË– Politika shqiptare ka shkuar për të bërë homazhe tek varrezat ‘Dëshmorët e Kombit’, ku kanë vendosur kurora me lule. Siç duket edhe nga pamjet e mëposhtme, presidenti Ilir Meta është i pari që ka vendosur kurora me lule, ndërsa shfaqet i qetë në krah të socialistëve, edhe pse kryeministri Edi Rama mungon.
Numri një i qeverisë ndodhet në Varshavë, ku do të mbahet Konferenca e Donatorëve për të mbledhur të ardhura për të mbështetur luftën në Ukrainë. Por ishte i përfaqësuar nga socialistët e tjerë që morën pjesë në homazhe. Pas Metës, kurora me lule vendosën, kryeparlamentarja Lindita Nikolla; ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi; kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj etj.
Dita e Dëshmorëve e ka origjinën në 5 maj 1942, kur u vra Qemal Stafa, i cili me veprimtarinë e tij u kthye në simbol të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Pas shpalljes së Pavarësisë më 1912 e deri me 1945, shteti shqiptar nuk krijoi një status ligjor për dëshmorët e Atdheut. Gjatë luftës Nacional-Çlirimtare, nisen përpjekjet e para, për të nderuar dëshmorët e rënë në fushat e betejave. Pas çlirimit, më 28 gusht 1945, kryesia e Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar, miratoi ligjin Nr. 109 “Mbi shpërblimin e familjeve të dëshmorëve dhe invalidëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare”.
Ky ligj sanksiononte trajtimin e familjeve të patriotëve që kishin luftuar e rënë për atdheun edhe para Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, në kohën e Rilindjes Kombëtare, në luftërat për pavarësi, duke shënuar kështu përpjekjen e parë për një ligj integral për dëshmorët e Atdheut. Përpara krijimit të shtetit shqiptar, populli i kujtonte dëshmorët dhe mbante gjallë legjendat e tyre, nëpërmes këngës epike, dhe trashëgimisë të historisë të tyre nga brezi në brez.