Ministrja e Arsimit, Evis Kushi, ka reaguar për lajmin se koronavirusi i mori jetën sot një tjetër mësuesi në Shqipëri.
Bëhet fjalë për mësuesin e një shkolle në Gramsh Xhevit Dyrmishi, i cili nuk ia ka dalë në betejën me virusin e rrezikshëm. Ai ishte shtruar në spital prej disa ditësh dhe gjendja iu përkeqësua pas komplikacioneve të shkaktuara nga Covid-19.
Teksa shpreh ngushëllimet për familjen e mësuesit të ndjerë, ministrja bën thirrje “që të gjithë të tregojmë rigorozitet në zbatimin e çdo mase që e parandalon këtë virus të pabesë!”
POSTIMI I MINISTRES
Fatkeqësisht, koronavirusi goditi sërish një tjetër arsimtar të nderuar nga qyteti i Gramshit, mësuesin Xhevit Dermyshi, i cili për vite të tëra ka shërbyer me shumë përkushtim dhe profesionalizëm.
Gjej rastin të shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjarët, të afërmit, nxënësit dhe kolegët e mësues Xhevitit. Njëkohësisht, dua të bëj thirrje që të gjithë të tregojmë rigorozitet në zbatimin e çdo mase që e parandalon këtë virus të pabesë!