Fier- Një ngjarje e rëndë është shënuar në Fier, ku një person ka mbetur i plagosur nga ana e policisë për shkak se ka tentuar të qëllojë me kallash ndaj tyre. Mësohet se i plagosur ka mbetur 29-vjeçari Greseld Shpataraku. Ky i fundit sipas policisë po ruante një sasi të mbjellash me kanabis.
Në momentin që ka ndërhyrë policia, ai ka pasur një kallash në dorë. Policia i ka bërë thirrje që të hedh armën dhe të ndalojë, por ai i ka kundërshtuar, madje ka mbushur armën dhe ua ka drejtuar efektivëve të policisë. Në këto moment policia ka hapur zjarr ndaj tyre duke e lënë të plagosur rëndë.
Njoftimi i policisë:
Në zbatim të planit të masave për kontrollin e territorit, me qëllim parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike, grupi i kontrollit të territorit, i përbërë nga punonjës të Policisë të Komisariatit të Policisë Fier, gjatë kontrollit të territorit, në një zonë të pyllëzuar të fshatit Gjorgoz të Njësisë Administrative Cakran të bashkisë Fier, ka konstatuar një person që mbante në dorë një armë zjarri kallashnikov.
Punonjësit e Policisë i kanë bërë thirrje 29-vjçarit Greseld Shpatarakut që të hidhte armën dhe mos të lëvizte, por ai nuk i është bindur urdhrit të Policisë dhe ka drejtuar armën e zjarrit nga punonjësit e Policisë, duke e mbushur atë me qëllim që të qëllonte në drejtim të tyre.
Shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë për ta neutralizuar dhe për pasojë shtetasi ka mbetur i plagosur, për momentin jashtë rrezikut për jetën.
Nga këqyrja e vendit të ngjarjes rezultoi se në afërsi të vendit ku u konstatua shtetasi me armë kishte dhe fidanë cannabis sativa të kultivuar në kubikë.
Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar edhe arma e zjarrit kallashnikov.
Në drejtim të vendngjarjes ka shkuar grupi hetimor, i cili në bashkëpunim edhe me SHÇBA, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe identifikimin e personit.