Tiranë- Është arrestuar 31- vjeçari që ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane.
Sipas njoftimit të policisë së shtetiti finalizimi i operacionit “Befasia”, duke bërë të mundur kapjen e personit me inicialet E.P, banues në Tiranë.
Gjykata e Milanos ka dhënë dënimin prej 30 vitesh për 31- vjeçarin, i cili do të ekstradohet drejt Italisë së shpejti.
Njoftimi i policisë
Finalizohet nga Komisariati i policisë Nr. 2, në bashkëpunim me Interpol Tirana, operacioni policor i koduar “Befasia”. Kapet dhe arrestohet 31-vjeçari i kërkuar nga drejtësia italiane, për veprat penale “Grup kriminal” dhe “Trafikimi i lëndëve narkotike”. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 2, pas shkëmbimit në kohë reale të informacioneve me Interpol Tiranën, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Befasia”, në kuadër të të cilit, në Unazë të Re, në ambientet e një lokali, u bë e mundur kapja e shtetasit të shpallur në kërkim ndërkombëtar: E. P., 31 vjeç, banues në Tiranë. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane, pasi Gjykata e Milanos ka lëshuar urdhrin e arrestit ndërkombëtar duke caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Grup kriminal” dhe “Trafikimi i lëndëve narkotike”, për të cilat maksimumi i dënimit është 30 vite. Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, vijon veprimet për ekstradimin e këtij shtetasi drejt Italisë.