Qindra studentë dolën përpara Ministrisë së Arsimit për të protestuar kundër urdhrit për mbylljen e auditorëve.
Të rinjtë ishin të revoltuar, për shkak se vendimi u ka ardhur pak ditë përpara se të hapej viti akademik. Shumë prej tyre thanë se ishin bërë gati, madje kishin marrë edhe banesat me qira, kurse tani u thuhet se duhet të mësojnë online.
“Është e palogjikshme të dalë një urdhër tre ditë para nisjes së vitit akademik,” tha njëri.
Më të revoltuarit janë ata që nisin vitin e parë akademik. Sipas tyre, nuk mund të përfitohet asgjë nga mësimi online. Të tjerë, sidomos studentët e mjekësisë, thanë se nuk mund të mësohet që të operohet dikush online.
Për shumicën e studentëve, është absurde që qeveria bën fushatë dhe takime elektorale, si dhe lejon baret e restorantet, por mbyll dyert e dijes.
“Injoranca vret më shumë se virusi,” thanë ata.