Fotoja e një gruaje shtatzënë duke u larguar nga një maternitet i bombarduar u bë një nga imazhet më ikonike të luftës në Ukrainë. Por subjekti i saj u kthye në shënjestër të një fushate të jashtëzakonshme dezinformimi nga Rusia dhe për këtë ajo vajzë e re nisi të urrehej nga të dyja palët. E mbështjellë me një jorgan me ballin e gjakosur, imazhi i Marianna Vyshemirsky u pa në mbarë botën.
Fotoja e marrë pas një sulmi ajror rus në Mariupol qarkulloi në internet, në faqet e para të gazetave dhe u debatua madje edhe në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.
Por, pasi i mbijetoi sulmit të parë, Marianna u përball me një sulm tjetër – dezinformimi dhe urrejtja që e godiste atë dhe familjen e saj. Teksa Rusia u përpoq të mbillte gënjeshtra për sulmin, 29-vjeçarja u akuzua për veprime të rreme dhe manipulime. Madje, diplomatët rusë pohuan se ajo kishte “luajtur rolin” e jo një, por të dy grave të ndryshme.
BBC foli gjerësisht me miqtë dhe të afërmit e saj dhe u përpoq t’a intervistojë atë për javë të tëra.
“Kam marrë kërcënime se do të vinin të më gjenin, se do më vrisnin, se do më bënin copë-copë fëmijën”, – thotë ajo për BBC.
Kjo është intervista e saj e parë me një media të madhe perëndimore pasi u evakuua në vendlindjen e saj në një pjesë të Donbasit që tashmë kontrollohet nga separatistët e mbështetur nga Rusia.
Marianna duket e qetë dhe flet pa asnjë parakusht, por një bloger pro-separatist rus është me të. Ajo tregon se si është të gjesh veten brenda një beteje informacioni e gjithë kjo teksa po sillte në jetë vajzën e saj Veronika në një zonë lufte.
“Ajo zgjodhi të vinte në një moment të vështirë, por është më mirë që ka ardhur në këto rrethana sesa të mos ishte fare”.
“Gjërat u kthyen përmbys”
Jeta në Mariupol ishte shumë ndryshe para luftës. Marianna promovonte produkte bukurie në rrjetet sociale, ndërsa bashkëshorti i saj Yuri punonte në fabrikën e çelikut Azovstal.
“Kemi pasur një jetë të qetë dhe të thjeshtë dhe më pas, natyrisht, gjërat u përmbysën”.
Llogaria e saj në Instagram tregon emocionet e saj për perspektivën për t’u bërë nënë. Në kohën kur Marianna u shtrua në spital, Mariupol ishte bërë qyteti më i bombarduar në Ukrainë.
Më 9 mars, ajo po bisedonte me gra të tjera në repart kur një shpërthim tronditi spitalin. Ajo thotë se vendosi një batanije mbi kokë. Pastaj erdhi një shpërthim i dytë.
“Ti shikon që gjithçka fluturon përreth, copëza dhe gjëra të tjera. Tingulli kumboi në veshët e mi për një kohë shumë të gjatë”.
Gratë u strehuan në bodrum bashkë me civilë të tjerë. Marianna pësoi një prerje në ballë dhe disa copëza xhami mbetën në lëkurën e saj, por një mjek i tha se nuk kishte nevojë për qepje.
Ajo që kishte nevojë ishte të merrte sendet e saj nga rrënojat e spitalit. Ajo i kërkoi një oficeri policie që ta ndihmonte të kthehej brenda.
“Gjithçka që kisha përgatitur për fëmijën tim ishte në atë maternitet”, – thotë ajo.
Anatomia e një gënjeshtre
Teksa qëndronte jashtë spitalit, duke pritur për të rimarrë gjërat e saj, ajo u fotografua nga gazetarët e Associated Press. Ata e kapën atë edhe kur po zbriste shkallët duke dalë nga ndërtesa.
Këto imazhe u bënë shpejt virale. Dhe pikërisht atëherë në një kanal Telegram pro-Kremlinit u shfaqën për herë të parë pretendimet se fotografitë ishin “inskenim”. Faqja e bukurisë së Marianna në Instagram u përdor për të treguar se ajo ishte një “aktore” që kishte përdorur grim për të falsifikuar plagët.
Këto gënjeshtra u përsëritën dhe u përforcuan nga zyrtarë të lartë rusë dhe mediat shtetërore.
Madje ata pohuan se edhe një foto e një gruaje tjetër shtatzënë në barelë ishte sërish Marianna, edhe pse duket qartë se fotot janë të personave të ndryshëm. Gruaja në barelë dhe fëmija i saj i palindur vdiqën më vonë nga plagët e marra.
E arratisur dhe pa akses në internet, Marianna i pa ato imazhe vetëm disa ditë më vonë. Në atë moment, Instagrami i saj u përmbyt me mesazhe akuzuese dhe kërcënuese.
“Ishte vërtet fyese t’a dëgjoja këtë, sepse në fakt e kam jetuar të gjithë atë që ndodhi”, – thotë ajo, por përmbahet të kritikojë drejtpërdrejt zyrtarët rusë që përhapën informacione të rreme për të. Në vend të kësaj, ajo kritikon Associated Press.
“Unë u ofendova që gazetarët që kishin postuar fotot e mia në rrjetet sociale dhe nuk kishin intervistuar gra të tjera shtatzëna që mund të konfirmonin se ky sulm kishte ndodhur vërtet”.
Ajo sugjeron se kjo mund të ndihmojë për të shpjeguar pse disa njerëz “patën përshtypjen se gjithçka ishte e inskenuar”. Por sipas llogarisë së vetë Marianna-s, ajo ishte një nga pacientët e fundit që u evakuua dhe pikërisht atëherë mbërritën gazetarët e AP. Gazetarët intervistuan persona të tjerë në vendngjarje. Dhe ata nuk kishin asnjë lidhje me historinë e përhapur nga zyrtarët rusë. BBC tha se iu drejtua AP për koment.
Kërkimet për Marianna-n
Në ditët pas sulmit, Marianna solli në jetë Veronikën në një spital tjetër. Ashtu si mijëra të tjerë, Marianna dhe Yuri po përpiqeshin dëshpërimisht të shpëtonin nga Mariupol. Për javë të tëra, ishte e pamundur të siguroje një kontakt me ta. Më në fund, të afërmit e Mariannës i thanë BBC se çifti kishte dalë nga qyteti, por vendndodhja e tyre ishte e paqartë. Më pas, në fillim të prillit, ata u rishfaqën në rajonin e Donbas.
Ajo dha një intervistë me Denis Seleznev, një bloger i cili është mbështetës i zëshëm i separatistëve të mbështetur nga Rusia. Kishte spekulime se sa e lirë ishte ajo për të thënë atë që donte. Marianna më thotë: “Më duhej t’a përshkruaj të gjithë situatën, siç e pashë me sytë e mi”.
Edhe biseda e BBC me të u organizua gjithashtu nëpërmjet Denisit. Mariana flet nga shtëpia e tij. Ai është i pranishëm gjatë gjithë bisedës, por nuk e ndërpret. Të afërmit dhe miqtë e Marianës kanë siguruar se ajo tani është e sigurt.
Duke bashkuar të vërtetën
Pjesa më e madhe e asaj që ajo thotë në intervistën e saj minon të pavërtetat e qeverisë ruse. Kremlini në mënyrë të përsëritur deklaroi se spitali që u sulmua nuk ishte më funksional.
Marianna konfirmon se spitali po e trajtonte atë dhe pacientë të tjerë – në kundërshtim me pretendimet ruse se ai nuk funksiononte si një institucion i kujdesit shëndetësor.
Rusia pretendoi gjithashtu se spitali ishte marrë nën kontroll nga regjimenti Azov – grupi i diskutueshëm nacionalist ukrainas që sipas saj ka qenë i lidhur me neonazistët, akuza që ata vetë i mohojnë.
Komentet që Marianna bëri në intervistën e saj me Denisin u përdorën nga zyrtarët rusë se “ushtarët e detyruan Mariannën dhe gratë e tjera shtatzëna të ktheheshin në mburoja njerëzore”.
Por Marianna thotë se nuk kishte asnjë ushtri ukrainase të vendosur në ndërtesën ku ajo ishte. Ajo thotë se ka parë ushtarë ukrainas në njësinë e onkologjisë në ndërtesën përballë njësisë së maternitetit. Është e paqartë nëse ata ishin të vendosur atje apo jo.
Megjithatë, intervista e Marianna-s me Denis Seleznev u përdor nga Kremlini për të gatuar gënjeshtra të tjera. Zyrtarët rusë kanë shfrytëzuar komentet e saj se ajo “nuk besonte se shpërthimet në spital janë shkaktuar nga një sulm ajror”, duke lënë të kuptohet se goditja ishte bërë nga një bombardim ukrainas.
“Tingulli tipik që lëshon një aeroplan kur fluturon sipër është i pamundur t’a humbasësh”, – i tha Marianna BBC duke këmbëngulur se nuk ka dëgjuar avion.
Por këtu ajo gabon. Gazetarët e AP nxorën prova se ai ishte një sulm ajror, duke përfshirë videon ku mund të dëgjohet një aeroplan. Në vendngjarje, një ushtar dhe një oficer policie thonë se ai ishte një sulm ajror, citon lapsi.al. Gjithashtu i dukshëm në foto është një krater i madh për të cilin ekspertët e municioneve thonë se mund të ishte shkaktuar vetëm nga një sulm ajror.
“Unë personalisht nuk e pashë këtë krater, por pashë videon e tij,” – thotë Marianna. “Në realitet nuk mund të fajësoj askënd – sepse nuk e pashë me sytë e mi se nga erdhën [shpërthimet].” Kjo polemikë ndezi një valë të re në internet.
“Disa thoshin se isha aktore, të tjerë thoshin se po gënjeja se nuk kishte sulme ajrore”, – thotë ajo.
Edhe disa që ajo i konsideronte si miq nuk e besojnë më. Një blogere tjetër, Yaroslava që jeton në Rusi vazhdon të besojë pretendimet e televizionit shtetëror se Marianna ishte duke aktruar.
“Unë mendoj se Marianna luajti rolin e saj. Ukraina kishte nevojë për të fajësuar Rusinë për gjithçka” – thotë Yaroslava për BBC. Që atëherë ajo nuk e ka ndjekur Marianna-n në Instagram dhe nuk dëshiron të flasë më me të.
“Është për të ardhur keq kur njerëzit që njoh besojnë në diçka që unë nuk e kam bërë”, – thotë Marianna.
Marianna i është rikthyer blogimit dhe në një postim të fundit u tha lexuesve të qëndrojnë pranë nëse ishin të interesuar për “kozmetikën, pelenat dhe jetën e përditshme të një nëne të re”.
Përgjigjja e saj për ata që i dërgojnë mesazhe urrejtjeje ishte “shkoni në paqe”. Por gjetja pa dëshirë e saj në qendër të një lufte informacioni – teksa konflikti ushtarak vazhdon – ka ndryshuar jetën e Marianna-s përgjithmonë.
“E dini, për momentin nuk po mendoj për shpresat e mia apo për të bërë plane, sepse nuk e dimë se çfarë do të sjellë e nesërmja” – e mbyll ajo.