Krizë politike në Itali! Drejtuesi i “Italia Viva”, Matteo Renzi ka tërhequr nga qeveria dy ministrat e tij, Teresa Bellanova dhe Elena Bonetti, duke rrëzuar qeverinë e kryeministrit Giuseppe Conte.
Në një konferencë për shtyp, Renzi bëri me dije lajmin duke sqaruar se kriza në qeveri ka ekzistuar muaj më parë dhe se nuk ka lidhje me pandeminë e koronavirusit.
“Është shumë më e vështirë të lësh një kolltuk sesa të kapesh pas status quo-së. Po përjetojmë një krizë të madhe politike, po diskutojmë për rreziqet që lidhen me pandeminë. Përballë kësaj krize, ndjenja e përgjegjësisë është të zgjidhim problemet, jo t’i fshehim ato. S’kam asnjë paragjykim për emrin e Contes. Ka një emergjencë dramatike për t’u përballur me situatën por nuk mund të jetë elementi i vetëm që e mban qeverinë gjallë. Përgjigja ndaj pandemisë do të thotë të kesh dëshirën dhe nevojën për të zhbllokuar vendet e punës dhe për të vepruar sipas politikave industriale. Nëse ka një krizë politike, ajo trajtohet në mjediset institucionale, jo me postime në Facebook,”-u shpreh ai.