Vdekja e një shqiptari 38-vjeçar në Molise të Italisë ka nxitur një debat të fortë në mediat dhe institucionet italiane. Pjerin Lleshaj ishte infektuar me covid dhe u paraqit në gjendje të rënduar në spital.
Ai duhej të shtrohej në terapi intensive, por askush nuk i dha një shtrat aty. Mediat italiane shkruajnë se kjo ishte një vdekje që mund të shmangej nëse pas 1 viti autoritetet shëndetësore italiane do të kishin bërë të mundur që të zgjeroheshin kapacitetet spitalore.
Sipas medieve italiane shqiptari ndërroi jetë në 7 shkurt dhe la pas bashkëshorten 25-vjeçare dhe 2 fëmijë. Ai nuk kishte sëmundje të reja, por vetëm simptoma të agravuara për shkak të Sars-Cov-2. Lajmi ka nxitur indinjatë në komunitetin shqiptar në Itali, por edhe polemika mes institucioneve.