Kryeministri Edi Rma ka bërë me dije se Parlamenti Italian ka përfshirë në projekt-buxhetin për vitin 2022 një amendament për nisjen e procesit të njohjes së pensioneve të shqiptarëve në Itali vitin e ardhshëm.
Me një postim në Facebook, Rama shkruan se qeveria do të vijojë kontaktet me qeverinë italiane deri në aprovimin përfundimtar të projekt-buxhetit 2022 në Itali, ndërsa çështjen për njohjen e pensioneve e konsideron ‘jetike’ për shumë shqiptarë që jetojnë në vendin fqinj.
“Lajm i mirë për shqiptarët në Itali! Në vazhdën e komunikimit me qeverinë italiane dhe partitë politike për marrëveshjen e pensioneve, Parlamenti Italian ka përfshirë në projekt-buxhetin e Italisë për vitin 2022 edhe një amendament për nisjen e procesit të njohjes faktike të pensioneve të shqiptarëve me kontribute pune në vendin mik. Vazhdojmë kontaktet deri në aprovimin përfundimtar të projekt-buxhetit 2022 dhe me këtë rast u shpreh mirënjohjen në emër të shqiptarëve në Itali, kryeministrit Mario Draghi, ministrit të jashtëm Luigi di Maio, të cilët janë angazhuar personalisht për ta zgjidhur këtë çështje kaq jetike për aq shumë shqiptarë të mirë në Italinë mike, si edhe të gjithë të tjerëve që dashamirësisht janë përfshirë në këtë përpjekje të përbashkët”, shkruan Rama.
Gjatë vizitës në Itali më 17 nëntor, kryeministri Edi Rama kërkoi ë të përshpejtoheshin procedurat për njohjen e pensioneve të shqiptarëve. Italia ka nënshkruar marrëveshje të tillë me disa vende tashmë si me Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Kosovën, Argjentinën, Tunizinë, Bosnjën, Izraelin, etj., por ende nuk është zyrtarizuar marrëveshja me vendin tonë.