Italia ka mundur Spanjën me shifrat e përgjithshme 5-3 dhe është kualifikuar në finalen e Kampionatit Europian që do luhet më 11 korrik me një mes Danimarkës dhe Anglisë. 120 minutat u mbyllën me shifrat 1-1, pas një ndeshje të mbushur me emocione. Italia fitoi 4-2 te penalltitë dhe fitoren ia dhuroi Morata.
Ashtu siç pritej, ishte Spanja që e zotëroi topin dhe e qarkulloi atë më shumë, duke e mbyllur Italinë pas. Fillimisht në minutat e para Pedri dha një pasim magjik për Oyarzabal, por talenti i Real Sociedad nuk e mori mirë dhe nuk mundi të godasë.
Më pas në minutën e 27 Dani Olmo kishte shansin e artë për të shënuar për Spanjën, por Gianluigi Donnarumma u përgjigj në mënyrë të spektakolare dhe çoi sferën në goditje këndi. Pjesa e parë u mbyll me një rast të Emerson Palmierit, i cili goditi traversën nga afër portës së Unai Simon.
Pjesën e dytë Spanja ishte më e qetë dhe Italia më e rrezikshme me kundërsulme. Gjithsesi rasti i parë erdhi për Spanjën, me Oyarzabal, që dështoi të godasë saktë brenda zonës. Më pas ishte Busquets, që goditi jashtë 16-metrave dhe pak centimetra e ndanë nga kuadrati i Donnarummas.
Por goli do shënohej në krahun tjetër. Federico Chiesa në minutën e 60-të bëri gjithçka mirë dhe lëshoi një goditje perfekte, që e la Unai Simon në vend dhe tundi rrjetën. Pas golit Spanja u bë akoma më ofensive dhe i dha rastin Italisë të dyfishonte.
Berardi gaboi dy herë dhe në të tilla raste fati të kthehet kundër më pas. Kështu ndodhi sepse Morata, i futur nga stoli, barazoi për Spanjën në minutën e 80 dhe riktheu baraspeshën 1-1, duke e bërë akoma më të ethshme atë ndeshje. Me këtë gol sulmuesi e çoi në 6 numrin e golave në Kampionatet Europiane.
Kështu, ai parakalon Fernando Torres dhe bëhet golashënuesi më i mirë i Spanjës në këtë kompeticion. Në pjesën e mbetur të ndeshjes, Spanja bën maksimumin për të shënuar të dytin, por Italia “shtrëngon dhëmbët” dhe me pak fat arrin ta çojë ndeshjen në shtesën prej 30 minutash.
Pas fërshëllimës së gjyqtarit Felix Brych, Spanja u bë e para skuadër në historinë e Europianeve që luan në tre ndeshje rresht shtesën prej 30 minutash. Me nisjen e kësaj të fundit skuadra e Luis Enrique dominoi gjithë terrenin e portës. Në pjesën e parë rastin më flagrant e kishte Morata, i cili goditi mes kaosit në zonë, por sfera nuk filtroi.