I riu që shihni në këtë foto është Xhulio Prela, efektivi 26 vjeçar i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë në Shkodër, i cili u ekzekutua gjatë natës brenda makinës së tij në Gajush të Lezhës.
Dosja.al ka mësuar se Prela ka qenë më herët si pjesë e trupës policore në Drejtorinë Rajonale të Policisë në Lezhë, ndërsa një vit më parë ishte transferuar tek FNSH-ja e Shkodrës. Po ashtu, mësohet se i riu vazhdonte studimet në Akademinë e Sigurisë në Tiranë, në vitin e tretë.
Xhulio Prela me origjinë nga Puka dhe me vendbanim në Tiranë, nuk ka patur probleme të mëparshme me persona të tjerë, ndërsa ende nuk ka një pistë mbi arsyet e vrasjes.
Ai është ekzekutuar me një plumb në zemër mëngjesin e sotëm. Dosja.al ka mundur të mësojë se autorët e vrasjes janë identifikuar dhe janë larguar nga vendngjarja me një kamion në ngjyrë të verdhë.