Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi shprehet se është kundër një karantine të dytë dhe një e tillë do ta rrënonte më shumë vendin ekonomikisht dhe psikologjikisht.
E ftuar në emisionin “Zonë e Lirë” të Arjan Çanit, Kryemadhi tha se është pro edhe të mbylljes së shkollave, ndërsa ka prezantuar një mënyrë se si mund të mësojnë nxënësit e klasave të para, dyta, treta dhe katërta.
Sipas kryetares së LSI do ishte e arsyeshme kthimi i mësuesve në pension, kthimi i mësuesve që janë hequr nga puna për arsye politike dhe të krijohet mësuesi në komunitet, ku vetëm një arsimtar do të mësojë 4 apo 5 nxënës.
Kryemadhi: Mendoj që jemi të dërmuar nga karantina e parë, Ekonomikisht, psikologjikisht dhe një karantinë e dytë do të ishte fatale për çdo gjë. Mendoj se duhet të karantinojmë ata që janë të paaftë në menaxhimin e kësaj situate. Karantina kërkon përveçse një bashkëbisedim total të njerkëve që dinë dhe kuptojnë nga situata ku jemi, mendoj se është e domosdoshme që t’i japim një zgjidhje kësaj. Politikisht sa më pak të flasim është më mirë.
Jam kundër një karantine të dytë. Karantina anulohet duke bërë testime masive.
Shkollat duhet të mbyllen, sepse janë qendrat kryesore të shpërndarjes së COVID dhe krijimin e klasave jo më shumë se katër apo pesë persona. Të ketë mësues në komunitet, duke u kthyer mësuesit në pension, ato që kanë hequr për arsye politike, flasim për mësuesit e klasave të para, dyta, treta dhe katërta.