Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden mbajti të enjten fjalimin e tij të parë në Departamentin e Shtetit që kur mori detyrën, duke e vënë theksin tek sfidat kryesore për diplomacinë amerikane, rikthimi tek aleancat dhe udhëheqja “nga një pozicion force” e Shteteve të Bashkuara në arenën globale, raporton Zëri i Amerikës.
Presidenti Biden e bëri të qartë se bota duhet të presë që Shtetet e Bashkuara të jenë më të angazhuara në arenën diplomatike me administratën e tij.
“Amerika u rikthye. Diplomacia është përsëri në qendër të politikës sonë të jashtme”, tha Biden.
Ai foli konkretisht për çështjet që kryesojnë programin e tij të politikës së jashtme: grushti i shtetit në Mianmar, bisedimet me Rusinë dhe marrëdhëniet me Kinën.
“Ushtria e Mianmarit duhet të heqë dorë nga pushteti që ka marrë me forcë”, tha Biden.