Partia Demokratike, i kërkon Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të nisë sa më shpejt punën për blerjen e kamerave të monitorimit që do të vendosen në rreth 5 mijë qendra votimi që ka Shqipëria. Vendosja e kamerave ishte dakortësi e arritur në këshillin poltik dhe e reflektuar në ndryshimet e kodit zgjodhr. Sekretari i përgjithshëm, Gazment Bardhi, nëpërmjet një letre dërguar KQZ-së, i tërheq vëmendje këtij institucioni se 5 muaj para zgjedhjeve nuk ka ndërmarrë asnjë veprim.
“Në këto kushte, Partia Demokratike dhe Opozita e Bashkuar kërkon nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, që të marrë të gjitha masat për instalimin dhe përdorimin e sistemit të videomonitorimit në qendrat e votimit në zgjedhjet e 25 prillit, duke miratuar sa më parë aktin normativ që e mundëson këtë si dhe duke parashikuar fondet e nevojshme financiare.”
Komisini Qendror i zgjedhjeve i është përgjigjur kërkesës së Partisë Demokratike, duke sqaruar se akti normativ është duke u hartuar por ajo kërkon kohën e vet. Ndërsa përsa i përket financimit të këtij projekti, KQZ thotë se po vlerësohen kostot e mundshme për implementimin e këtij procesi.
“Për momentin në kuadër të realizimit të projektit të vëzhgimit me kamera të qendrave të votimit dhe të vendnumërimit të votave, jemi duke bërë vlerësimin mbi kostot e mundshme financiare të këtij projekti si dhe një vlerësim të aspekteve teknike të tij”
Aktualisht sistemi i kamerave është i vendosur vetëm në tavolinën ku numërohen votat, por me ndryshimet në kodin zgjedhor çdo qendër votimi do të monitorohet me kamera. Kostot parashikohen të jenë jot ë vogla, pasi janë rreth 5 mijë qendra votimi e minimalisht pajisja e një qendre shkon në 300 euro. Kamerat dhe teknologjia janë kërkuar nga opozita si garanci për të luftuar fenomene si votimi familjar, votimi në emër të personave që nuk jetojnë në Shqipëri apo përdorimi i kartave të identitetit të falsifikuara.