Dibër- Policia e Dibrës ka arrestuar dy personat të cilët dje u ndaluan nga anëtarët e Partisë Demokratike në këtë zonë, pasi pretendohej se po blinin vota.
Bëhet fjalë për juristin e bashkisë Denis Gjoli me detyrën e Drejtorit Juridik në Bashkinë e Bulqizëz si dhe Albjon Ceku, aktivist i Partisë Socialiste pjesë e shtabit socialist. Këta persona u ndaluan në hyrje të Maqellarës ku në makinën e tyre u gjet një shumë prej rreth 7 milionë lekësh që dyshohet se do i përdornin për të blerë vota.
‘Qytetari që u kap të enjten në Dibër me para për të blerë vota nuk është i Partisë Demokratike, por i LSI-së’, kështu ka deklaruar Shtabi Elektoral i Partisë Socialiste Dibër, në një informim për opinionin publik ditën e sotme.
PS Dibër informon se mbështet hetimin për zbardhjen deri në fund të ngjarjes, por shton se pas verifikimeve rezulton se personi në fjalë, punonjës në Bashkinë Bulqizë, nuk është pjesë e strukturave të PS.
Ajo që ne dimë dhe e themi me plot gojën është se ky individ s’ka lidhje me PS dhe se nëse ka një shqetësim real për mundësinë e shitblerjes së votave, ky shqetësim vjen vetëm nga një parti: Lëvizja Socialiste për Integrim.