Rusia pretendon se ka marrë në kontroll të plotë qytetin në jug të Ukrainës, Mariupol. Ministri rus i Mbrojtjes i premtoi Putinit se brenda 4 ditësh do të çlirohet edhe uzina e çelikut, ku gjenden rreth 2000 ushtarë ukrainas, ndërsa civilët janë evakuuar. Moska pretendon se ka marrë në kontroll qytetin port të Mariupolit në Ukrainë.
Kështu i ka thënë ministri rus i Mbrojtjes, Sergej Shoigu presidentit Putin gjatë një bisede përmes lidhjes online të enjten. Ministri Shoigu gjithashtu sqaroi se rreth 2000 ushtarë ukrainas, kryesisht të grupit ekstremist Azov gjenden të fshehur në uzinën e çelikut Azovstal në këtë qytet.
“Që nga fillimi i muajit mars, kur nisi edhe rrethimi i Mariupolit, 8100 ushtarë ukrainas e mercenarë të huaj, përfshirë anëtarë të batalionit famëkeq Azov mbetën brenda fabrikës. Më shumë se 1400 militantë dorëzuan armët. 142 000 civilë janë evakuuar nga qyteti, i cili ka qenë nën rrethim për disa javë”.
Kapja e Mariupolit e bën Rusinë kontrolluesen kryesore në pjesën më të madhe të Ukrainës jugore si dhe atë lindore. Mariupoli ka një port të rëndësishëm i cili në kohë normale është një qendër kryesore eksporti për çelikun dhe qymyrin. Kapja e Mariupolit i jep Kremlinit një arsye më shumë që t’i mbushë mendjen popullsisë ruse se Moska po i arrin qëllimet e saj në të ashtuquajturin operacion special.